COVID-19 paralizoi arsimin, dy skenarët për mbylljen e këtij viti akademik

Ndryshe nga shkollat që presin udhëzimet e Ministrisë së Arsimit për zhvillimin e mësimit në distancë, universitetet, ligjërisht autonome, duhet ta mendojnë vetë zgjidhjen.

Platformat e shumta online i kanë ardhur në ndihmë shumicës së programeve të studimit për ndjekjen e leksioneve, por, kur vjen puna te praktikat mësimore, provimet e sezonit, ato përfundimtare dhe teza e diplomimit, çështja ndërlikohet paksa. Në një kohë që qeveria ende nuk ka një vendim për vitin akademik, fakultetet e Universitetit të Tiranës, që kanë numrin më të madh të studentëve, po hartojnë planet e tyre për ta mbyllur vitin akademik.

Drejtori i kurrikulës në UT, Albano Zhapaj, bën me dije se brenda javës që vjen, në varësi edhe të ecurisë së epidemisë në vend, fakultetet do të bëjnë publike skenarët e menduar.

Dy janë alternativat: “Skenari i parë i menduar është zhvillimi i mësimdhënies online, mundësisht me ecuri të njëjtë me atë në programit që ka qenë planifikuar në mësimin në prezencë. Për këtë qëllim po funksionojmë nëpërmjet platformave të ndryshme, përgjithësisht me ‘class room’-e, ku pjesëmarrja deri tani duhet e mirë. Pengesat e vetme që hasen janë ato që lidhen me mbulesën e internetit në zona rurale apo periferike.

Studentët jo të gjithë kanë akses të mjaftueshëm, ofertat e internetit u përfundojnë shumë shpejt, kësisoj dhe kostoja e ndjekjes së rregullt të leksioneve nga ana e tyre bëhet shumë e lartë.

Skenari i dytë ka të bëjë me plan masash rezervë, ku të parashikohet zhvillimi online i provimeve të sezonit të rregullt, me përparësi vitet e treta të ciklit të parë të studimeve bachelor, si dhe vitet të fundit të programeve të ciklit të dytë master. Për vitet e para dhe të dyta mendohet, aty ku nuk janë mundësitë dhe hapësirat e përfundimit brenda afateve ligjorë, parashikimi i një sezoni provimesh vere, apo një shtyrje e pjesshme e provimeve për në vitin e ardhshëm akademik”. Rrugëzgjidhjet e mundshme të UT-së synojnë që mësimi të mbyllet mundësisht brenda afateve ligjore, por edhe me ndryshime në strukturën vjetore, në rast se do të lindë nevoja.

PRAKTIKAT MËSIMORE

Gjysma e fakulteteve të Universitetit të Tiranës diplomojnë mësues të cikleve të ndryshme, të cilët, për të mbyllur ciklin bachelor, duhet me patjetër t’u nënshtrohen praktikave mësimore. Fati e deshi që këtë vit, pa nisur mirë ajo, të ndërpritet për shkak të pandemisë. Ndonëse nuk është idealja e mundshme, drejtori i Kurrikulave tregon se si do të veprohet me këto raste.

“Duhet saktësuar se praktikat janë pasive, për shembull ato ku studenti ka detyrimin vetëm të ndjekë eksperimentet, dhe aktive, në të cilat studenti duhet të përkthejë në praktikë ato çka ka mësuar në teori. Këto lloj praktikash mësimore mund të mbyllen edhe në fakultete, ku grupe të ndryshme studentësh ndiqen nëpërmjet clasroom-eve, duke i ngarkuar me detyra konkrete, punë në grup, prezantime punimesh e më pas mund të bëhet edhe vlerësimi i tyre. Po kështu, studentit ose mësuesit të ardhshëm, mund t’i jepet detyrë të ndjekë leksionet që shfaqen në platformat televizive, të dëgjojë, shikojë e analizojë shpjegimin nga mësuesi i vërtetë dhe më pas të prezantojë një detyrë kursi mbi elementët që kanë të bëjë me lëndën dhe profilin e tij natyrisht”, sqaron Zhapaj.

Praktikat mësimore në Universitetin e Tiranës janë të përqendruara më së shumti te Shkencat e Natyrës, HistoriFilologjia, Gjuhët e Huaja dhe një program mësuesie te Shkencat Sociale. Fakulteti i Shkencave të Natyrës një pjesë të orëve të praktikës i ka mbyllur qysh në semestrin e parë, ndërsa të tjerët do të jenë të detyruar të praktikohen përmes shembullit që iu ofrohen nga pedagogu dhe jo duke e prekur më dorë tryezën dhe mjetet e laboratorit.

DIPLOMIME ONLINE

Ndjekja e studentëve që kanë zgjedhur të diplomohen nëpërmjet zhvillimit të temave të diplomave, ndiqet dhe kryhet online nga pedagogu mentor, gjë që ndodh edhe në kohë jo pandemie, pra, nuk përbën problem. Njëjtë do të veprohet edhe me mbrojtjen e tezës në muajin korrik, kur kryhen zakonisht, gjithnjë nëse situata mbetet e pandryshuar. Problem mund të jenë ata studentë që midis hartimit të një teme diplome dhe testimit, zgjedhin alternativën e dytë.

“Për këtë, disa fakultete i kanë marrë masat dhe e kanë gjetur zgjidhjen se si do të veprojnë; si për kryerjen e provimit në prezencë me numër të reduktuar studentësh për auditor, në mënyrë që të ruhen distancat fizike, por edhe për kryerjen e provimit online përmes platformave në përdorim, për ata studentë që ndodhen në qytete të ndryshme dhe nuk mund të vijnë në Tiranë”, shpjegon drejtori i Kurrikulave në Universitetin e Tiranës. Sipas Zhapajt, testimi online është plotësisht i mundur, s’ka vend për dyshim kopjimi. E vetmja pengesë është kostoja që rëndon në kurriz të të rinjve.

“Në classroom pedagogu shikon jo vetëm studentin, por edhe ambientin përreth tij dhe natyrisht që në pyetje me alternativa apo edhe me zhvillim kopjimi nuk bën punë. Këto procese kërkojnë kohë dhe kosto, si për pedagogun, ashtu edhe për studentin. Duhet pranuar se një pjesë e studentëve dhe familjet e tyre e përballojnë me dhimbje këtë kosto, pasi tanimë ata gjenden përballë faktit kur kanë paguar taksën vjetore për të marrë leksione në auditor, dhe vazhdojnë ndjekin leksionet online, jo për shkak të tyre, por me xhepin e tyre”. /Panorama


Shtuar 24.04.2020 15:05