Mickoski nga RMV: Marrëveshja që po bën LSDM është jo-kombëtare

Kreu i opozitës VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, siguron se Qeveria e ardhshme e udhëhequr nga partia e tij nuk do ta respektojë marrëveshjen me Bullgarinë nëse e njëjta është e dëmshme dhe tradhtare për identitetin maqedonas.

“Këtë marrëveshje që po e bën, nëse e bën LSDM-ja, e që do të jetë asimetrik, anacional dhe që drejtpërdrejt do ta godasë identitetin nacional të popullit tim dhe të Maqedonisë nuk e kam ndërmend në të ardhmen, kur VMRO-DPMNE-ja, do të bëjë Qeveri atë marrëveshje bilaterale. Asnjëherë nuk do të pajtohem me faktin që ajo marrëveshje të futet në kornizën negociuese sepse është vegël shtesë e Bullgarisë që të na “vetoizojë” kur të dojë dhe si të dojë”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE.

Nga LSDM-ja, deputeti Martin Kostovski me akuza se Mickoski është i njëjtë si mentori i tij Gruevski, që e sheh VMRO-DPMNE-në si vegël për pasurim personal, ndërsa shton se gjithçka që ofron VMRO-DPMNE-ja dhe kreu i saj janë shkatërrimi, bllokadat dhe kërcënimet.

“Partia kriminale e vërtetuar edhe me gjykatë, VMRO-DPMNE-ja, e drejtuar nga Mickoski vepron në dëm të qytetarëve dhe dëshiron që shtetin ta kthejë prapa në regjim, varfëri dhe pasiguri. Nuk do të kenë sukses në këtë, LSDM bashkë me qytetarët nuk do të lejojë që shteti sërish të jetë peng i regjimit VMRO-DPMNE. Shkatërrimi, bllokadat e VMRO-DPMNE-së dhe Mickoskit do të mposhten sërish”, tha Martin Kostovski, deputet i LSDM.

Përndryshe, kryeministri bullgar Kiril Petkov ka kërkuar që Maqedonia e Veriut që të pranojë ta respektojë qëndrimin kornizë të miratuar në Parlamentin bullgar, bullgarët të përfshihen në Kushtetutën e Maqedonisë dhe të zbatohet Marrëveshja për Fqinjësi të Mirë. Këto kërkesa për kreun e VMRO-DPMNE-së Mickoski janë më radikale se ato të Karakaçanovit, ndërsa u shpreh se nuk e di se “cili njeri normal në Maqedoni do ta pranonte këtë?!”/TV 21/