Zbulohet skema për ndarjen e këstit të 8-të për të ish-të përndjekurit
Kryeministri Edi Rama tha se është çështje muajsh përmbyllja e kapitullit të dëmshpërblimit. Ndërsa e vuri fokusin tek ata që jetojnë, kryeministri nuk tha asnjë fjalë për trashëgimtarët, se si do të jetë ecuria e procesit për ta.

“Të përndjekurit politikë kanë arsye, sa të duash, për t’u ndjerë ende të parehabilituar plotësisht nga pikëpamja morale, por sot ne jemi në kushtet kur brenda pak muajsh përfundojmë plotësisht shlyerjen e të gjitha detyrimeve financiare për çdo të burgosur të regjimit komunist që është gjallë, të 8 këstet.

Ndërkohë që gjetëm në Shqipërinë që kishim një lumë njerëzish të kësaj kategorie shoqërore, që nuk kishin marrë akoma këstin e parë.

Ndërkohë që pamë me shumë dhimbje se shumë të tjerë kishin shkuar në botën tjetër pa e marrë këstin e parë dhe ndërkohë që konstatuam se të tjerë që nuk kishin qenë në burg fare, por me dëshminë e pasardhësit e ku di çfarë, kishin marrë më shumë sesa një këst”, theksoi kreu i qeverisë, shkruan Panorama.

KËSTET

Prej muajit janar, Ministria e Financave ka nisur nga puna për lëvrimin e pagesave. Nga rreth 2300 të dënuar që bëjnë pjesë në kategorinë parësore, është arritur që për pjesën më të madhe prej tyre, rreth 1300 persona, të jetë ndarë kësti i shtatë i dëmshpërblimit.

Pjesa tjetër e dosjeve është në proces shqyrtimi.
Fillimi i pagesës së radhës është artikuluar edhe më herët nga ish-ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi. Por sa e mundur është që të realizohet kjo me fondin vjetor që është vënë në dispozicion nga buxheti i shtetit? Kujtojmë që janë 2 miliardë lekë gjithsej, prej të cilave 70% shkon për ata që janë gjallë, pra rreth 1.4 miliardë lekë.

Pjesa tjetër adresohet për trashëgimtarët. Në këto kushte, është praktikisht e pamundur që të realizohet ndarja e këstit të tetë. Ajo që mund të ndodhë është fillimi i kësaj pagese për një pjesë prej të dënuarve, duke e zhvendosur më tej likuidimin e plotë të tyre vitin e ardhshëm.

Mekanizmi i vetëm që do ta bënte të mundur këtë gjatë muajve në vijim do të ishte mbushja e arkës dhe kjo mund të bëhet pas rishikimit të buxhetit. Por edhe kjo ka pak gjasë të ndodhë, duke qenë se jemi në një vit elektoral.

TRASHËGIMTARËT

Sa u takon trashëgimtarëve, ligji parashikon që nga fondi vjetor, 30 për qind e tij të shkojë për këtë kategori. Kjo do të thotë se këtë vit janë rreth 6 milionë dollarë në dispozicion. Pak ditë më parë, Ministria e Financave ka publikuar edhe emrat e 120 ish-të përndjekurve, dosjet e të cilëve janë gati për pagesë. Pagesat do të bëhen duke ruajtur rendin e pagesës.

Pra, ai që ka marrë këstin e parë do të jetë në radhë të parë për të përfituar këstin e dytë, e kështu me radhë.

Sipas Financave, për kryerjen e pagesave është e nevojshme paraprakisht që trashëgimtarët të dorëzojnë dokumentet e kërkuara, që janë përkatësisht kopje e letërnjoftimit, numër llogarie, certifikatë vdekjeje, certifikatë e trungut familjar, dëshmi trashëgimie dhe prokurë.

“Të gjithë trashëgimtarët e ish-të dënuarit politikë duhet të konfirmojnë në bankat përkatëse numrin e llogarisë bankare nëse është aktiv.

Nëse nuk është aktiv, të hapin një numër të ri llogarie bankare, të cilin ta dërgojnë në sektorin e pagave dhe dëmshpërblimeve, duke shënuar numrin e dosjes të ish-të dënuarit politik”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Nga 23 mijë dosje që janë në shqyrtim pranë sektorit të pagave dhe dëmshpërblimeve, rreth 2300 janë të dënuar që jetojnë, pjesa tjetër janë përfitues të radhës së parë dhe të dytë. Ligji i ndryshuar parashikon që, pasi të jetë mbyllur kapitulli i dëmshpërblimit për kategorinë parësore, i gjithë fondi vjetor që do vendoset në dispozicion nga buxheti i shtetit, do të transferohet për t’u përdorur për trashëgimtarët./albeu.com/

Shtuar më 07/04/2017, ora 14:17
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori