Këto janë dy qytetet më të goditura nga pandemia, në vitin 2021

Vlora dhe Tirana janë dy qarqet që kanë shënuar humbjet më të mëdha në jetët e njerëzve në vitin 2021.

Sipas të dhënave të INSTAT, fatalitetet në Vlorë ishin 50.3% më të larta në vitin 2021, në krahasim me mesataren e 2016-2019, kur kishim një situatë normale.

Në Vlorë humbën jetën gjithsej 2,455 persona, në 2021, nga rreth 1,600 në mesataren e katër viteve përpara pandemisë. Ky përkeqësim erdhi teksa në 2020-n vlonjatët i kishin rezistuar pandemisë, me vdekjet që ishin shtuar me 12.8%, ndër më të ulëtat në vend.

Pas Vlorës është kryeqyteti i vendit që ka pasur humbjet më të mëdha nga pandemia. Vdekshmëria në Tiranë vijoi të ishte e lartë për të dytin vit radhazi, duke kulmuar në një rritje prej 49.8% në 2021 në raport me mesataren 2016-2019, ndërsa dhe në 2020 humbjet kishin qenë të larta (+36.4% në krahasim mesataren 2016-2019).

Në kryeqytet humbën jetën rreth 7800 persona nga 5200 në një vit normal pa pandemi. Mjekët shpjegojnë që numri i lartë i fataliteteve në Tiranë ka si arsye kryesore dendësinë e lartë të popullsisë në raport me qytetet e tjera, duke favorizuar përhapjen më të madhe të virusit. Në qendrat e mëdha urbane ku grumbullimet janë edhe më të larta, infektimet përhapen më shumë e për pasojë edhe fatalitetet janë më të mëdha. Sidomos gjatë dimrit 2021 kishte një përhapje të lartë në vatrat familjare.

Pas Tiranës, renditet Fieri, me rritje prej 48.5% të fataliteteve (në raport me mesataren 2016-2019), i ndjekur nga Berati me 41.1% dhe Durrësi me 39.5%.

Lezha dhe Shkodra që në vitin 2020 pritën valën më të fortë të pandemisë, edhe në 2021 u përballën me rritje të vdekshmërisë shtesë, përkatësisht me 36.5% dhe 36.4%.

Rritje të fortë të fataliteteve, në raport me vitin e parë pandemik shënoi dhe Gjirokastra (+33.5%, nga 17% në 2020-n).

Mesatarisht, vdekjet në vend u rritën me 40% në 2021-in, në krahasim me mesataren përpara pandemisë, nga 26.4% që ishte vdekshmëria shtesë në 2020-n. të gjitha qarqet, me përjashtim të Kukësit panë rritje më të lartë të vdekjeve shtesë në 2021, në raport me vitin e parë të pandemisë.

Qarku i Kukësit rezulton që e ka kaluar më lehtë pandeminë, me shtim të fataliteteve në 2021 me 13.2%, shumë më e ulët sesa mesatarja rajonale, e shpjeguar kjo sipas mjekëve me moshën e re të popullsisë dhe dendësinë e ulët për shkak të emigracionit të lartë.

Në raport me popullsinë, në vend u shënuan 10.8 vdekje për 1,000 banorë, nga 7.6 që ishte ky tregues për periudhën mesatare 2016-2019, sipas të dhënave të INSTAT, të përpunuara nga Monitor. Treguesi u përkeqësua jo vetëm për shkak të pasojave të pandemisë, por edhe pakësimit total të popullsisë në vend. Sipas INSTAT, në vitin 2021, popullsia në vend ishte rreth 1.1% më e ulët sesa përpara se të fillonte pandemia (ose rreth 32 mijë persona më pak).

Në vitin 2021, për herë të parë në gati një shekull, vdekjet ishin më të mëdha sesa lindjet.

Rekordin e mban Gjirokastra me 18 vdekje për 1,000 banorë, por ky është një qark që edhe në vite normal ka vdekshmëri më të lartë për shkak të popullsisë në moshë të vjetër. I dyti ishte Berati (14.1) dhe e treta Korça.

Tirana, ndonëse pa një rritje të lartë të vdekjeve nga pandemia është e parafundit në raport me popullsisë, për shkak se është ndër të paktat qarqe që ka ende rritje të numrit të banorëve (migrim të brendshëm pozitiv).

Sërish Kukësi renditet si qarku që kishte me pak humbje jete në raport me popullsinë (8.2).

Gati 15 mijë vdekje shtesë që nga fillimi i pandemisë

Që nga prilli 2020, kur vala e pandemisë filloi të jepte efektet e para në Shqipëri deri në fund të vitit 2021, në vend janë shënuar rreth 14.6 mijë vdekje shtesë në krahasim me mesataren e periudhave përkatëse 2016-2019.

Për gjithë vitin 2021, në vend u shënuan gjithsej rreth 30.6 mijë (30,580) humbje jete, duke shënuar nivelin më të lartë rekord të arritur ndonjëherë në historinë e vendit. Ky është viti i dytë radhazi, kur fatalitetet në vend po rezultojnë të larta. Në vitin e parë të pandemisë, në 2020-n u regjistruan në total 27.6 mijë fatalitete, nga 21.8 mijë që ishte mesatarja e periudhës 2016-2019.

Në krahasim me mesataren e 2016-2019, kur ishte një periudhë normale, vdekjet në vitin 2021 janë rritur me 40%. Edhe në 2020-n, vdekshmëria shtesë në raport me mesataren 2016-2019 u rrit me rreth 26%./monitor

 

 


Shtuar 15.02.2022 08:07