EULEX në Kosovë dhuron automjete për Ukrainën

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) i dhuroi të martën 12 automjete për policinë shtetërore kufitare të Ukrainës.

Në një ceremoni të organizuar në Prishtinë, zyrtarët e misioni të Eulex-it thanë se secili nga këto automjete është i ngarkuar me furnizime humanitare për Ukrainën.

Shefi i misionit të EULEX-it në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark tha se kjo mbështetje sëbashku me atë të Bashkimit Evropian do të ndihmojë popullin e Ukrainës në përballjen me agresionin rus. Ai theksoi rolin e Kosovës në mbështetje të Ukrainës.

“Sigurisht, shumë qytetarë të Kosovës e dinë mirë përmes përvojës së tyre se çfarë do të thotë të bëhesh refugjatë dhe t’i ekspozohesh agresionit. Solidariteti i Kosovës ndaj Ukrainës është shfaqur në shumë mënyra, duke përfshirë programin e gazetarëve dhe refugjatëve, Kosova gjithashtu iu është bashkuar me pothuajse të gjitha qëndrimet e përbashkëta të politikës së jashtme dhe sigurisë të Bashkimit Evropian, dhe pres me padurim ditën, në të ardhmen jo të largët, kur Kosova do të marr pjesë në misione të përbashkëta të sigurisë dhe mbrojtjes, siç është ky”, tha ai.

Zoti Wigemark tha se misioni i Eulex-it po ndan gjithashtu përvojën në hetimin e krimeve të luftës me kolegët në misionin e BE-së në Ukrainë.

Përfaqësuesi i lartë i kontingjentit të Ukrainës në KFOR, Ivan Nastenko tha se mbështetja e vendeve evropiane dhe perëndimore po ndihmon popullin e Ukrainës në luftën e pajustifikueshme dhe të paprovokuar të Rusisë.

“Emocionet e mia janë të përziera, në njërën anë ndihem i turpëruar që jam këtu përderisa shokët e mi janë duke e rrezikuar jetën për Ukrainën. Në anën tjetër, jam shumë krenar sot që jam këtu dhe shërbej para partnerëve ndërkombëtarë, që gjithmonë janë të gatshëm të ndajnë barren, me çfarë i dërgojnë një mesazh të qartë gjithë botës se Ukraina nuk është e vetme në këtë luftë”, tha ai.

Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Thomas Szunyog tha se lufta në Ukrainë mbetët sfida më serioze gjeopolitike dhe e sigurisë për Evropën.

“Jam krenar që sot jemi në gjendje të demonstrojmë jo vetëm mbështetje politike për Ukrainën, por edhe mbështetje humanitare dhe mbështje për misionin e Bashkimit Evropian në Ukrainë. Kjo nuk do të thotë që ne po heqim përqendrimin nga Kosova, Kosova është ende sikurse i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor përparësi në agjendën e Bashkimit Evropian”, tha ai.

Ministrja e punëve të Jashtme, Donika Gërvalla tha se Kosova do të vazhdojë të qëndrojë përkrahë Ukrainës.

“Pra, ju lutemi shikoni solidaritetin tonë si diçka shumë natyrale dhe diçka normale që duhet të ndodhë dhe kuptoni se Kosova pret që të gjithë në Evropë të tregojnë jo vetëm solidaritetin, por të kujdesen që kjo luftë të përfundojë ashtu siç duhet të përfundojë me fitoren e Ukrainës. dhe kështu duke parandaluar jo vetëm shkatërrimin e Ukrainës, por edhe luftërat e mëtejshme në Evropë”, tha ajo.

Që nga agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës, qeveria e Kosovës, iu është bashkuar sanksioneve amerikane dhe evropiane kundër Rusisë dhe disa individëve nga Bjellorusia, për siç u tha rolin e tyre në lehtësimin e sulmit rus ndaj Ukrainës./voa


Shtuar 12.07.2022 19:55