Zbulohet itinerari i kokainës që përpunohej në Elbasan, trafiku me rroba fëmijësh
Trafiku i kokainës realizohej me rroba fëmijësh, e ndërsa ka dalë në dritë tashmë edhe itinerari i drogës që përpunohej në Elbasan. Raportohet se policia gjermane ka kontrolluar gjithçka, teksa ka ndjekur ngarkesat që vinin me linjën Turqi-Bullgari-Maqedoni-Shqipëri.

Të dyshuarit si pjesëtare te grupit kriminal, ishin maft te kujdesshem në komunikimet telefonike, por pas një hetimi të nisur në tetor të vitit që lamë pas, tashmë çdo gjë është shkatërruar.

Sipas versionit jo zyrtar të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, të arrestuarit e pak ditëve më parë do të përfundojnë në Gjykatën e Krimeve të Rënda, si pjesëtarë të një grupi të strukturuar kriminal, i cili rezulton si i përfshirë në trafikun ndërkombetar të drogës, referuar një materiali tepër sekret që ka dërguar shteti gjerman.

"Top Channel" bën me dije se kokaina e cila u sekuestrua ne laboratorin e fshatit Xibrakë në Elbasan, ka ndjekur linjen Turqi- Bullgari- Maqedoni, e konkretisht në Strugë dhe nëpermjet dy pikave kufitare ka hyrë në Shqipëri. Burime jozyrtare kanë bërë me dije se sasia prej 100 kilogramësh e kokainës së perzierë ishin të tretura kryesisht në rroba femijësh, të cilat bliheshin në Turqi nëpërmjet një kompanie të nënkontraktuar nga grupi i trafikantëve.

Me pas ato shpëlaheshin në punishte ku kondensohej kokaina. Hetimet tregojnë se zbërthimi i këtij rrjeti droge ka nisur në muajin tetor 2014, atëherë kur Gjykata e Mynihut ka dërguar një letërporosi për të mbajtur nën kontroll shtetasin Ilir Hyseni.

Në vijim të veprimeve hetimore speciale dhe tepër sekrete, autoritetet kanë vëzhguar dhe ndjekur hyrjen në Shqipëri të tre ngarkesave me drogë, për të cilat shteti gjerman ka këmbëngulur që të lejohet derisa të zbulohet i gjithë grupi dhe baza ku ajo përpunohej.

Gjatë vëzhgimeve dhe përgjimeve, thanë pjesëtarë të grupit hetimor, në një episod është përdorur si transportues shtetasi Arjan Dalipi nga Elbasani. Ndërkohë që shfaqen mjaft aktivë në këtë proces trafiku shtetasit Gentjan Gjonaj, 43 vjeç dhe Ermal Hoxha, 40 vjeç dhe për të dy ata, ka dyshime se kanë rolin e financuesit.

Burimet thanë se për dy nga 11 të ndaluarit, shtetasit Fatmir Hoxha dhe Egest Dankesi është kërkuar lirimi i tyre i menjëhershëm, pasi nuk rezultojne të implikuar në rrjet.

Dy shtetasit kolumbianë, sipas të njejtave burime, Cezar Avila dhe Valter Huan Moreno, rezultojnë se kanë hyrë në Shqiperi duke deklaruar se janë turistë. Ata kanë hyrë në Shqipëri në daten 8 nëntor 2014 nga pika e kalimit kufitar të Kakavijës me një automjet me pronësi të shtetasit me inicialet V.GJ., dyshohet se janë në rolin e laborantëve apo thënë ndryshe të specialistëve që bëjnë veçimin e droges nga rrobat dhe tharjen e saj.

Pjesëtarë të grupit të hetimit thanë se grupi do ta trafikonte drogën nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Durresit, nëpërmjet një kompanie tjetër që merrej me tregti mineralesh drejt Italisë. Kjo e dhënë del nga përgjimet ambientale të të dyshuarve. /albeu.com/

Shtuar më 16/01/2015, ora 17:46
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori