Zbulohet e vërteta e pajisjes së izraelitit që skanon "çimkat"
Shtetasi izraelit Yoram Frig, i ndaluar në Rinas me një pajisje të dyshuar si përgjuese, ka dëshmuar se ka ardhur në Shqipëri me kërkesë të deputetit dhe biznesmenit Tom Doshi.

Pas ndalimit në Rinas dhe shoqërimit në Policinë e Tiranës, shtetasi i huaj 51- vjeçar që pretendon se është detektiv privat, ka dhënë deklarime para prokurorit në lidhje me aktivitetin e tij në Shqipëri.

Frig ka përsëritur se pajisja që i është bllokuar në Rinas është vetëm skanuese dhe kontrolluese, por nuk ka as aftësi, as programe e as pajisje përgjimi.

SKANIMI I PËRGJUESVE:

Prokuroria ka vendosur t’i sekuestrojë shtetasit izraelit pasaportën, sende personale dhe pajisjen që quhet “Omni Spectral Correlator 5000”. Kjo aparaturë në dukje e ngjashme me një laptop u është dorëzuar ekspertëve të Policisë Shkencore dhe specialistëve të fushës për të verifikuar se cilat janë programet dhe funksionet e saj. Një burim nga Prokuroria e Tiranës ka bërë me dije dje për gazetën “Panorama” se nga këqyrja paraprake që i është bërë pajisjes “Omni Spectral Correlator 5000”, nuk rezulton që të jenë bërë përgjime. Kjo për arsye se gjatë këqyrjes është parë se pajisja në fjalë nuk ka as programe dhe as mjete për të realizuar çfarëdo përgjimi. Të njëjtat burime thanë se pajisja në fjalë është një aparaturë, e cila vendoset në një ambient të caktuar dhe ka aftësinë që në një rreze të dhënë të lokalizojë çdo pajisje përgjuese të mundshme. Pikërisht për këtë veprim mendohet se është përdorur pajisja në fjalë gjatë qëndrimit të shtetasit izraelit në Tiranë.

Pasi ka përfunduar skanimin e automjeteve, zyrave dhe banesave ku i është kërkuar të verifikonte, shtetasi izraelit ka vendosur që të largohet nga Shqipëria, por në ndryshim nga momenti i hyrjes kur nuk është shqetësuar, në dalje ai është ndaluar nga policia. /Panorama
Shtuar më 26/03/2017, ora 23:00

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori