Zbulohet dëshmia e Blerta Josifi: Kur nisëm lutjet, trupi i Anisës mbante erë (FOTO LAJM)

Vazhdon të trondisë ngjarja horror në Kombinat, ku nënë e bijë u gjetën të vdekura në banesë, ndërsa vajza tjetër në gjendje kritike për jetën.

Ndërkohë që hetimet vazhdojnë për të zbuluar se me cilin sekt fetar ishte lidhur familja Josifi, është zbardhur për mediat dëshmia e të mbijetuarës së vetme, Blerta Josifi.

“Isha në polici katër muaj përpara se të zbulohej kjo tragjedi. Isha dhe e frikësuar. Ju tregova që diçka po ndodhte në shtëpinë Josifi. Nuk më morën seriozisht”. Kështu e nis rrëfimin e saj të dytë Refija, një grua e moshuar, e cila jeton ngjitur me shtëpinë e tre grave, Zhanetës, Anisës (të dyja të vdekura) dhe Blertës.

E moshuara kujton se një ditë, e trembur që asgjë nuk pipëtinte në apartamentin ngjitur dhe e trembur se kishte dëgjuar shpesh për veprimet që kryenin Dëshmitarët e Jehovait u nis në këmbë në komisariatin e Kombinatit.

“Kisha frikë se ato mos i vinin flakën shtëpisë se mos vetëdigjeshin dhe thashë do të vdesim dhe ne të tjerët, ndaj shkova. Sa hyra i thashë policit – “O bir, po vij për hallin tim se kam frikë kushedi se ç’bëjnë e do na marrin në qafë”. Ata më përcollën, më thanë – “Mirë nëne mirë”, shton e moshuara.

Po përse policia nuk u fut në shtëpi gjatë muajve të parë të 2020, atëherë kur ky problem po kthehej në një çështje të përditshme?

Burime tregojnë se nuk kishte një denoncim konkret dhe të shkruar, por vetëm ankesa ku i kërkohej policisë të gjendej ku ishte Anisa Josifi që nuk po shfaqej kurrkund.

“Vetë familjarët nuk depozituan asnjëherë një ankesë konkrete, ata flisnin për ndryshimin e gjendjes , por sa herë trokisnim në shtëpinë Josifi dilte kryefamiljarja që pyeste çfarë problemi ka? Kë kemi shqetësuar?” argumenton një zyrtar i policisë së Kombinatit.

Pavarësisht këtij justifikimi mendohet që policia ishte e ngathët për parandalimin e një tragjedie që në fakt ndodhi dhe ishte përtej kufijve të imagjinatës.

Nga një vëzhgim në lagjen ku jetonin tre gratë, nëna dhe dy vajzat, fqinjët pohojnë e këmbëngulin në anonimitet se në lagje të treja gratë shoqëroheshin me një grua që i përket një sekti, por pa treguar emra.

Ngecja e hetimeve

Ekspertët e policisë shtojnë për gazetën “Si” se shpresa e vetme e tyre mbetet Blerta, e mbijetuara familjes Josifi. Për këtë shkak, veç marjes së dëshmisë paraprake është disponuar edhe me administrimin e dëshmisë me shkrim të të mbijetuarës.

“Është gjithsej 1 fletë e gjysmë”, pohoi një burim, ku e reja tregon sërish të njëjtin version se ishin shkëputur nga Kisha Ungjillore para pesë viteve dhe se kishin vendosur të gjenin vetë rrugën drejt Zotit”.

Vajza këmbëngul se kufoma e motrës filloi të kishte erë atëherë kur të dyja gratë lanë ushqimin dhe nisën, sipas Blertës, sakrificën për të ndikuar në ringjalljen e Anisës. E gjithë skena e përshkruar si horror, me dy gra të vdekura në shtëpi e grilat e mbyllura është përshkruar nga ekspertët si më makabret e konstatuara ndonjëherë.

“Është e pabesueshme dhe e paimagjinueshme se si kanë qëndruar për muaj të tërë në të njëjtën shtëpi me të afërmen e pajetë. Dëshmia e Blertës është e cekët, ndaj dhe do ripyetet sapo gjendja e saj mendore të stabilizohet”, tregoi një ekspert policie.

Ndërkohë, pas dorëzimit të dosjes në prokurori, kjo e fundit regjistroi hetimin për shkaktim të vetëvrasjes, por ende pa një emër konkret të sekti që dyshohet t’i ketë shtyrë drejt veprimit ekstrem. Në prokurori është hedhur shorti dhe ka caktuar si prokuror të çështjes Albert Demirnelin. Pritet që prokurori të urdhërojë veprime konkrete dhe të thelluara të ndryshme nga veprimet paraprake të policisë që janë fokusuar tek këqyrjet e vendngjarjes dhe marrja e dy dëshmive, ajo e denoncuesit dhe e të mbijetuarës./SI

Shtuar më 08/07/2020, ora 19:49

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori