Zbulohen dy skenarët e protestës së opozitës, shpaloset flamuri gjigand tek Kryeministria
Ditën e sotme në orën 12 pritet të nisë protesta e opozitës e drejtuar nga Partia Demokratike.

Mësohet se protesta do të nisë në orën 12:00 por nuk dihet akoma një orar i saktë se kur do të mbarojë.

Ditën e djeshme Basha theksoi që do të jetë një protestë paqësore por që paralajmëroi policinë të mos provokonte pasi pas kësaj sipas Bashës do të vuajë pasojat.

Përsa i përket pjesëmarrjes kanë ardhur të dhënat e para ku sipas informacioneve janë 3 autobusë të nisur nga Gjirokastra me rreth 400 persona, po ashtu edhe nga Fieri janë nisur 25 autobusë me rreth 2500 persona.

Drejt Tiranës raportohet të jenë nisur edhe 350 qytetarë të Sarandës, ndërsa nga Shkodra janë nisur një numër edhe më i madh, nga 4 deri në 5 mijë persona.

Edhe nga Lezha parashikohet të nisen 12 autobusë, ndërsa deri më tani janë nisur 150 persona me automjetet e tyre. Po ashtu, drejt Tiranës janë nisur 6 mijë persona nga qarku Dibër, ndërsa nga Kukësi mbi 1500 persona. Edhe nga Berati janë nisur 6 autobusë dhe 50 makina.

Drejt Tiranës raportohet të jenë nisur edhe 3 autobusë nga Kuçova. Po ashtu, bëhet e ditur se 18 autobusë dhe 11 furgona dhe 180 mjete janë nisur nga Lushnja drejt Tiranës, ndërsa përllogaritet të jenë rreth 1500 persona. Ndërkaq, rreth 1500 persona janë nisur nga Durrësi.

Ndërkohë që pritet mbërritja e protestuesve në Tiranë protestuesit në sheshin para Kryeministrisë kanë vendosur një flamur të madh në podiumin e fjalimeve.

SKENARET

Skenari i parë që mund të ndjekin demokratët është që duke filluar nga ora 12:00 dhe deri në mesnatë protestuesit të qëndrojnë në shesh, duke kërkuar zgjedhje të lira me qeveri teknike.

Më pas, në mesnatë të jenë anëtarët e Forumit Rinor Demokrat ata që do të bëjnë rezistencë, duke qëndruar përpara Kryeministrisë gjatë gjithë natës, ndërkohë që të nesërmen t’u ribashkohen protestuesit e tjerë.

Skenari i dytë është ai që opozita të zhvillojë një protestë masive sot, duke nisur në këtë formë një valë të gjatë protestash të përjavshme. Ajo që demokratët thonë me bindje është se kanë marrë udhëzime që protesta të jetë e qetë dhe pa incidente, por kërkojnë të mos provokohen pasi edhe përgjigjja nuk do të mungojë.

Që nga data 1 shkurt, kur në mbledhjen e kryesisë u mor vendimi për të organizuar një protestë mbarëpopullore, aksioni opozitar u zhvendos tërësisht në funksion të saj.

Për afro 20 ditë, demokratët kanë shkundur të gjithë strukturat për të siguruar një pjesëmarrje sa më masive në një protestë që për nga përmasat vjen pas më shumë se 1 viti, që nga ajo e 8 dhjetorit 2015.

Por në gjithë këto ditë, kreu i demokratëve, Basha, është kujdesur që udhëzimet për deputetët, sekretarët, kryetarët e degëve, drejtuesit e forumeve rinore dhe përfaqësuesit e strukturave të lidhen vetëm me anën organizative, pa dhënë asnjë detaj për skenarët që do të shoqërojnë protestën.

Këtë herë ekskluzivitetin e mbarëvajtjes së protestës dhe mënyrës se si do të orientohen qytetarët në shesh, Basha ka vendosur t’ia besojë vetëm një grupi të ngushtë njerëzish./albeu.com/

Shtuar më 18/02/2017, ora 09:55

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori