E FUNDIT/ Bie nga 20 metra lartësi, humb jetën nëna e dy fëmijëve
Zbulohen detaje nga takimi, Rama: Ata duan “kokën” time
Kryeministri Rama dhe kryetari i Parlamentit Ilir Meta ditën e djeshme zhvilluan një takim në “Hotel Tirana”.

Pavarësisht se pritej që ky takim të zhvillohej më shumë për të vendosur fatin e koalicionit PS-LSI, sipas burimeve nga takimi mësohet se takimi u fokusua në zgjidhjen e krizës.

Dje në “Hotel Tirana International”, në takimin e nivelit të lartë politik mes dy partive të koalicionit qeverisës, i pari mbërriti Kryeministri Rama, i shoqëruar nga kryetari i Grupit Parlamentar socialist Gramoz Ruçi dhe sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi, ndërsa Ilir Meta shoqërohej në këtë takim nga zëvendëskryetari i LSI-së, Petrit Vasili, dhe ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha.

Takimi ka zgjatur për rreth 90 minuta, ndërsa Kryeministri Rama nuk ka dhënë asnjë deklaratë.

Kryeministri Rama që në nisje të takimit i ka kërkuar bashkëkryetarit të koalicionit Meta të firmosin marrëveshjen për vijim të koalicionit edhe në zgjedhjet e 18 qershorit. Por kreu i LSI-së i ka konfirmuar Kryeministrit Rama se për të firmosur marrëveshjen e koalicionit nuk ka asnjë pengesë dhe se ajo mund të firmoset në çdo moment, por problem mbetet kriza politike, shkruan Panorama.

“Koalicionin e konfirmojmë në çdo moment, kjo nuk përbën asnjë problem, por nuk mund të firmos në kushtet kur opozita është në rrugë dhe nuk regjistrohet që të hyjë në zgjedhje. Të mendojmë si do të zgjidhim këtë krizë, sepse koalicioni nuk është aspak problem për mua”, mësohet t’i jetë përgjigjur Meta Kryeministrit Rama.

PRESIDENTI

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, kërkoi dje gjatë takimit me Ilir Metën që të zgjidhnin edhe çështjen e Presidentit të ri të Republikës. “Unë mendoj se duhet të gjejmë zgjidhje dhe për Presidentin e ri të Republikës, të përcaktojmë emrat”, mësohet të jetë shprehur Kryeministri.

Por edhe për çështjen e Presidentit, kreu i LSI-së ka kërkuar më parë gjetjen e zgjidhjes së krizës me opozitën.

“Çështjen e Presidentit të ri e zgjidhim shumë lehtë, por jo pa zgjidhur më parë se çfarë do të bëjmë me opozitën. Çfarë kuptimi ka të zgjedhim Presidentin, kur opozita vazhdon në çadër dhe nuk do të marrë pjesë në zgjedhje?!

Zgjedhja e Presidentit mund të jetë edhe pjesë e zgjidhjes së krizës me opozitën, prandaj kjo do të jetë një çështje që do të marrë zgjidhje kur të kemi dhe opozitën në Kuvend”, mësohet të jetë shprehur kreu i LSIsë.

Kreu i qeverisë mësohet t’i ketë konsideruar të papranueshme kërkesat e opozitës, të cilat bien ndesh me Kushtetutën.
“Ata kërkojnë ‘kokën’ time, dorëheqjen time, ndërkohë unë dhe ti kemi një mandat nga populli që të qeverisim deri më 18 qershor, dhe është po populli që mund të na rikonfirmojë ose largojë nga qeveria. Kjo kërkesë do të na fusë në një precedent të rrezikshëm dhe të riciklueshëm”, mësohet të jetë shprehur Kryeministri Rama.
Por kreu i LSI-së ka dhënë propozimin e tij si mund të shkohet te zgjidhja.

“Unë mendoj se ne duhet të kërkojmë ndihmën e Partive Popullore Europiane që të negociojnë bashkë me ne për gjetjen e zgjidhjes për këtë krizë, e cila çdo ditë që kalon bëhet më e vështirë për t’u zgjidhur”, është shprehur Meta, duke kërkuar që palët të hyjnë në kontakt të menjëhershëm, për të përcaktuar një axhend./albeu.com/

Shtuar më 16/04/2017, ora 11:08
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori