Goditet me breshëri automatiku mobileria në Nikël, dyshimet e para

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë natës në zonën e Niklës në Fushë Krujë, ku është qëlluar me breshëri arme në drejtim të një mobilerije.

Burime bëjnë me dije se persona ende të paidentifikuar kanë gjuajtur me automatik drejt mobilerisë në pronësi të shtetasit Myslym Karaj.

Ky i fundit ka shkuar për të hapur dyqanin mëngjesin e sotëm, kur ka zbuluar se në drejtim të godinës është qëlluar me armë.

Menjëherë është njoftuar policia, e cila po kqyr të gjitha provat në vendin e ngjarjes.

Burime bëjnë me dije se Karaj nuk ka pasur konflikte të mëparshme, që mund të çonin në këtë ngjarje të rëndë kriminale.

Biznesmeni shprehet se pret që policia të zbardhë ngjarjen, ndërsa pista më e mundshme, është ajo që ngjarja të ketë lidhje me konkurencën.

Zona e Fushë Krujës ka dhjetra biznese në fushën e mobilerisë, ku janë të punësuar qindra persona.

Njoftimi i policisë:

Krujë – Më datë 15.04.2022, rreth orës 08:20, shtetasi M. K. ka njoftuar sallën operative se në fasadën e objektit (mobilierisë) në pronësi të tij, ka konstatuar disa shenja, që dyshohen se janë shkaktuar nga armë zjarri gjatë natës.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave.

 


Shtuar 15.04.2022 09:47