Zbardhet vendimi i DASH: Pse u shpall "non grata" Vangjush Dako dhe familja e tij (FOTO LAJM)

Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar në faqen zyrtare vendimin për shpalljen “non grata” në SHBA të Vangjush Dakos dhe familjes së tij.

Në njoftim thuhet se arsyeja e kësaj mase është përfshirja e Vangjush Dakos në raste të mëdha korrupsioni.

Sipas ligjeve amerikane, kur Sekretari i Shtetit ka informacione të besueshme se një zyrtar i huaj është përfshirë në raste të mëdha korrupsioni, ose shkelje të të drejtave të njeriut, atij dhe familjes së tij të ngushtë, i ndalohet hyrja në Amerikë.

Ja njoftimi i DASH i zbardhur nga Gazeta SHQIP

Sekretari i Shtetit po e përcakton publikisht kryetarin e Bashkisë shqiptare të Durrësit Vangjush Dako sipas Seksionit 7031 (c) të Departamentit të Shtetit të FY 2019, Operacioneve të Huaja dhe Aktit të Ndarjeve të Programeve të Përafërta, për shkak të përfshirjes së tij në një rast korrupsioni madhor. Seksioni 7031 (c) parashikon që, në rastet kur Sekretari i Shtetit ka informacion të besueshëm se zyrtarë të huaj kanë qenë të përfshirë në një rast korrupsioni të konsiderueshëm ose një shkelje të madhe të të drejtave të njeriut, ata individë dhe anëtarët e tyre të familjes nuk kanë të drejtë hyrjeje në Shtetet e Bashkuara.

Ligji gjithashtu kërkon që Sekretari i Shtetit të përcaktojë publikisht ose privatisht zyrtarë të tillë dhe familjarët e tyre. Përveç përcaktimit të Z. Dako, Departamenti po ashtu përcakton publikisht bashkëshorten e Z. Dako, Alba Dako, djalin e tij, Xhulio Dako dhe vajzën e tij, Kejsi Dako.

Veprimi i sotëm dërgon një sinjal të fortë që Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të luftuar korrupsionin në të gjithë botën

Vangush Dako, bëhet zyrtari i tretë nga Shqipëria që ndalohet hyrja në SHBA së bashku me familjen, pas Tom Doshit dhe Adriatik Llallës.

Shtuar më 30/07/2019, ora 20:57
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori