Zbardhet takimi sekret i ministrit Çuçi me ambasadorin grek
Në mbledhjen e zhvilluar me dyer të mbyllura, ministri i Shteti për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi ka zbardhur edhe një detaj të diskutimeve lidhur me reformën e re territoriale. I pyetur nga një prej të zgjedhurve vendorë të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, ministri Çuçi ka pohuar se, për këtë çështje ka ndërhyrë edhe vetë ambasadori i Greqisë, Leonidas C. Rokanas, i cili ka kërkuar edhe një takim me autoritetet shqiptare.

Portali Albie mëson se përfaqësuesi i PBDNJ-së shprehu qëndrimin pro në parim për ndarjen e re territoriale, por kërkoi prej ekzekutivit që të ketë kujdes për respektimin e konventave ndërkombëtare të ratifikuara për respektimin e minoriteteve. “Si përfaqësues i kësaj partie, na gëzon një iniciativë europiane, por parlamenti ka ratifikuar konventa për minoritetin dhe duhet të jemi kontribuues për këtë reformë dhe duhet një konsultë. Natyrisht ne këtë e mbështesim, dhe ne duhet që sa më shpejt ta bëjmë këtë reformë”, deklaroi përfaqësuesi i PBDNJ-së në mbledhjen me dyer të mbyllura për mediat.

Por, i menjëhershëm ishte edhe reagimi i ministrit Çuçi që sqaroi situatën. “Në fakt unë kam pasur një takim me ambasadorin e Greqisë dhe me kryetarin e partisë suaj. Pa diskutim që një nga detyrimet tona që rrjedhin nga konventat, është mbrojtja e të drejtave të minoritetit dhe kjo do të shkruhet shumë qartë që në momentin që drafti do të vijë në parlament”, deklaroi ministri Çuçi.


Me publikimin e nismës së re të qeverisë, partitë të cilat mbështesin të drejtat e minoritetit grek në vendin tonë, kanë ngritur shqetësimin se me reformën e re territoriale, mund të ndahen fshatrat apo dhe komunat ku shumicë dërrmuese është kjo popullsi. Kjo ka sjellë edhe shqetësimin e disa deputetëve dhe të përfaqësuesve të fqinjit tonë jugor, ku ka pasur reagime të ndryshme. /Albeu.com/
Shtuar më 20/02/2014, ora 11:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori