Zbardhet takimi i Bashës me aleatët: Cilat janë 3 kushtet e opozitës
Pëlqej
Ditën e djeshme kreu i opozitës Lulzim Basha mblodhi aletatët në selinë blu.

Burime nga takimi i zhvilluar me dyer të mbyllura sqarojnë se synimi kryesor i opozitës është që, përmes Reformës Zgjedhore të mundësohet votimi dhe numërimi elektronik.

Kreu i Partisë Demokratike ka pohuar gjatë takimit se opozita do të kërkojë miratimin sa më të shpejtë të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, në mënyrë që maxhoranca të mos ketë më alibi për mungesën e kohës për performimin e elektronikës, shkruan Panorama.

Gjithashtu, të njëjtat burime pranojnë se aleatët opozitarë kanë dakordësuar një aksion të përbashkët lidhur me ndryshimet e Kushtetutës, propozime për ndryshimin e pjesshëm të hartës administrative-territoriale, krahas ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.

Kreu i opozitës, Lulzim Basha, ka parashtruar tri kushte për maxhorancën, në mënyrë që të ketë një bashkëpunim për Reformën Zgjedhore.

“Jemi të vendosur që kjo reformë, as të mos ndalet, as të mos bëhet sa për sy e faqe, vetëm nga partitë politike në vend, por të bëhet vetëm pasi të ketë konsultime dhe konsensusin më të gjerë shoqëror.

Ne jemi të hapur për modelin, por duhet të plotësojë, sipas Partisë Demokratike, tri kushte:

E para, të ofrojë votimin dhe numërimin elektronik; e dyta, të ulë rolin e kryetarëve dhe partive politike; dhe, e treta, t’u japë më shumë pushtet qytetarëve për të vendosur mënyrën e përfaqësimit të tyre në Parlament dhe në të gjitha organet e tjera vendimmarrëse”, ka deklaruar Basha. /albeu.com/

Shtuar më 21/09/2017, ora 16:21
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori