Zbardhet skenari, PD bllokon emërimin Ruçin dhe Xhafës në qeveri
Pëlqej
Kuvendi i ri i Shqipërisë do të mblidhet për herë të parë pas zgjedhjeve të 25 qershorit më 9 shtator ku pritet që të mbahet seanca e parë parlamentare.

Por ashtu siç është paralajmëruar nga opozita, pritet që gjatë seancës të ketë debate mes deputetëve pasi PD kundërshtoi dy emra nga kabineti Rama.

Gramoz Ruçi si kryetar Kuvendi dhe Fatmir Xhafaj si Ministër i Brendshëm janë dy emrat më të lakuar nga PD-ja, lidhur kjo me të kaluarën politike të këtyre dy figurave gjatë kohës së diktaturës së Hoxhës.

Seanca e 9 shtatorit nuk do të jetë e qetë. Ndonëse në këtë seancë pritet të votohet qeveria e re, Partia Demokratike do e shfrytëzojë për të marrë rolin në krye të opozitës.

Sipas burimeve të gazetës “Sot”, PD do të protestojë brenda dhe jashtë parlamentit për të ndalur votimin e Gramoz Ruçit në krye të Kuvendit dhe të Fatmir Xhafajt, si ministër i Punëve të Brendshme.

Sipas informacioneve, i gjithë Forumi Rinor i Partisë Demokratike ka nisur të organizohet për të protestuar, teksa paralajmëron një aksion barrikadë për të penguar zgjedhjen e Gramoz Ruçit në krye të Parlamentit dhe dekretimin e Fatmir Xhafajt si ministër i Brendshëm, me pretekstin se këto dy propozime janë një provokim ndaj të gjithë shqiptarëve që janë përndjekur nga sistemi diktatorial.

Ndërkohë që, një tjetër skenar paralel me atë të FRPD po përgatitet edhe nga vetë deputetët e partisë Demokratike. Sipas informacionit, ligjvënësit demokratë do të marrin fjalën në Parlament, e nga ku pritet që të sulmojnë ashpër jo vetëm Ruçin dhe Xhafajn, por gjithë qeverinë “Rama 2”.

Këtë aksion e përforcon më shumë edhe vetë Basha që gjatë daljeve të tij të fundit ka qenë tejet i ashpër me kryeministrin Rama, Ruçin dhe Xhafën. /albeu.com/

Shtuar më 03/09/2017, ora 08:28
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori