Zbardhet sherri në Kuvend: Vrasës, halabak, legen e langaraq
Seanca dëgjimore me gazetarin Bledi Kasmi, i cili u plagos nga Policia në protestën e organizuar nga opozita në 26 maj, u shoqërua me debate të forta në Kuvend.

Në një kohë që opozita u paraqit në Komisionin e Medias me një deklaratë të përgatitur, e cila dënonte dhunën e ushtruar në protestë ndaj kryeredaktorit të “RD”, deputetët e PS publikuan fotot, në të cilat, sipas tyre, Bledi Kasmi nuk kishte aspak lidhje me detyrën e gazetarit, shkruan panorama.

Në mënyrë të organizuar gjatë fjalës së tyre në Kuvend, deputetët e PS-së publikuan fotot nga protesta e 21 janarit, ku mbetën të vrarë katër protestues, duke kujtuar se gazetarët në atë kohë u quajtën puçistë.

Deputeti i PS, Fidel Ylli, gjatë fjalës së tij, akuzoi përfaqësuesit e opozitës si vrasës që mbrojnë dhunën dhe gjithçka ndodhi në 21 janar. Sipas Yllit, protestuesit u vranë me urdhër të Kryeministrit dhe po me urdhër të tij, disa gazetarë u cilësuan si puçistë.

Etiketimi si “vrasës” ka sjellë reagimin e menjëhershëm të deputetit të PD, Luçiano Boçi, i cili ka kërkuar nga Ylli të tërheqë fjalët për opozitën.

Përplasja mes dy deputetëve është shoqëruar me edhe me akuza dhe ofendime të ndërsjella. Boçi i ka kujtuar deputetit të PS-së se vetë ai ka qenë një nga njerëzit që ka paguar dhe financuar njerëz për të ushtruar dhunë në protestën e 21 janarit.

Sipas deputetit demokrat, aktualisht vendi ka një Polici të politizuar, e cila ka vendosur nën survejim edhe vetë kryetarin e opozitës.

Debati në komision për këtë çështje ka vijuar për më shumë se tri orë, ndërkohë që vetë gazetari Kasmi sqaroi edhe pozicionin e tij dhe arsyet përse kaloi në kushtet e vetëmbrojtjes gjatë protestës së 26 majit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Debati në Komisionin e Medias

Bledi Kasmi: Kam qenë në protestë duke filmuar dhe fotografuar, duke bërë punën time si para Kryeministrisë, edhe përpara Ministrisë së Brendshme. Në kohën kur protesta po vijonte, te Ministria e Brendshëm pati konfrontime të protestuesve me Policinë, duke shkatërruar bandierat.

Çdo gjë ishte e qetë kur pati një agresim dhe dhunë ndaj disa protestuesve. Dua të kujtoj se rreth 4 minuta para se të ndodhte incidenti, një protestues u godit me shkop gome të hekurt dhe mbeti pa ndjenja; ai është Kastriot Hasko. Pas këtij incidenti jemi gjendur në kushtet e vetëmbrojtjes ose të largimit menjëherë nga protesta.

Luçiano Boçi: Manikota që z.Kasmi ka sot në kokë është edhe simboli i kësaj dhune. Sot nuk kemi liri mediash. Është e vërtetë që kemi gazetarë të lirë. Po, kjo është e vërtetë. Por edhe këta bien pre e dhunës së qeverisë.

Policia sot nuk është më e shtetit dhe e qytetarit, por është Policia politike e Ramës. Policia ka kurajë të vërë në survejim dhe përgjim edhe kryetarin e opozitës. Forcat operacionale janë përdorur si polici private. Këtu do jeni dhe do ta shihni se si do të dalin fakte.

Albana Vokshi: Kemi një deklaratë të përbashkët, që ftoj të gjithë kolegët të firmosim.

Fidel Ylli: Të lutem shumë tani, boll me konferenca shtypi. Na lër të shpjegojmë si është e vërteta. (Deputetët e PS-së nxjerrin foto dhe video nga protesta e 21 janarit) Fidel Ylli: Nuk është hera e parë që ky komision mblidhet për protesta dhe për gazetarë.

Edhe në 21 janar, Sali Berisha shpalli puçistë 4 gazetarë, të cilët po bënin detyrën e tyre në katin e katërt të godinës në bulevard, pa pasur lidhje me Policinë.

Albana Vokshi: Keni 5 vjet në pushtet, akoma e ka fajin Saliu?!

Fidel Ylli: Unë kam pasur një lokal bar “West”, aty rrinin të gjithë gazetarët dhe kam lidhje të hershme me ta. Në kohën kur Berisha i cilësonte puçistë gazetarët, ky gazetar që thotë se është dhunuar, shikoni çfarë shkruante: “Dështojnë puçistët. Ju doni të bëni zhurmë”.

Albana Vokshi: Po sepse Edi Rama kishte organizuar puç në 21 janar. Kjo është media e lirë.

Fidel Ylli: Jemi duke folur për median e lirë, që kolegët e vetë i bën puçistë. Juve nuk ju vjen mirë që keni futur gazetarë në burg. Martin Lekën, Sandër Frangajn, Fatos Mahmutajn e keni në azil se iu shpua dora në bulevard. A e kuptoni se çfarë jeni apo jo? Ju jeni vrasës. Vrasës jeni.

Luçiano Boçi: Ej, ej, mbaj gojën ti. Kujt i thua vrasës ti? Mbylle more gojën, kë akuzon vrasës ti, kujt i thua vrasës?

Fidel Ylli: Dolët në bulevard dhe vratë njerëz.

Luçiano Boçi: Mbylle mor gojën, kujt i thua vrasës ti? Kë akuzon ti? Ti je puçist për vete. Kë akuzon ti? E organizove vetë atë.

fidel ylli komison media

Fidel Ylli: Vini na bëni shou këtu.

Luçiano Boçi: Kë akuzon ti? Vjen edhe na thua vrasës këtu.

Fidel Ylli: Ti pusho ti, mos m’u drejtua mua ti. Po ti e di ça je? Mbylle gojën halabak.

Luçiano Boçi: Halabak je ti.

Fidel Ylli: U bëre ti. Kujt ia ngre zërin ti?

Luçiano Boçi: Po t’i kujt i thua vrasës?

Fidel Ylli: E di çfarë je ti?

Luçiano Boçi: Do ta provosh ti?

Fidel Ylli: Rri mor aty, mbylle ti gojën. Lëngaraq. U bëre ti?

Luçiano Boçi: Lëngaraq je ti. Ik ore legën. Ik ore mbylle gojën.

Fidel Ylli: Mbylle ti gojën. Katër vetë keni vrarë, qeveria jote.

Klevis Balliu: I vetmi që është gëzuar për ato 4 vrasje, ka qenë Edi Rama.

Luçiano Boçi: Kë quan vrasës ti mo? Ti ke qenë organizator, legen. Ke dhënë lekë. Ke dhënë ndihmë financiare për të pasur dhunë.

Fidel Ylli: Legen je ti, lëngaraq. Halabak. Rrugaç je

Luçiano Boçi: Halabak je ti.

Fidel Ylli: Ti je rrugaç që u ndërpret fjalën kolegëve.

Luçiano Boçi: Fol, por jo të na thuash ne vrasës.

Albana Vokshi: Juve kërkojuni falje atyre. Juve dhe ai që ka zyrën përballë se i sollët ata njerëz këtu. Do flasësh apo të ta heq fjalën.

Fidel Ylli: Juve nuk flisni për dhunën se ju djeg. Po nuk ma heq dot fjalën.

Albana Vokshi: S’ju vjen turp, s’ju vjen. Ta heq që ç’ke me të.

Fidel Ylli: Ju duhet të dini një gjë, që fjalët më të pista të miat janë “Më fal” dhe “Të lutem”. Unë nuk fyej kurrë. Vjen dikush, një gazetar, për të bërë viktimën, mua më vjen keq për atë.

Albana Vokshi: Këtë detyrë ia kanë dhënë këtë detyrë Fidelit sot, se është sportist.

Fidel Ylli: Personi në fjalë viktimizohet, krijon dhunë, nuk bën detyrën e gazetarit si gjithë të tjerët, por shkon dhe shkul hekura dhe godet Policinë.

Edmond Spaho: Unë desha të shpreh indinjatën dhe të hedh poshtë me përbuzje fjalorin që u përdor ndaj kolegëve të opozitës, duke i quajtur “vrasës”. Vrasësit i gjeni në tjetër drejtim, nuk janë tek opozita, as tani, as kur ka qenë në pushtet. Paralelja që po përpiqeni të bëni me 21 janarin është qesharake.

Keni dashur të merrni pushtetin me forcë, me dhunë, keni sulmuar Kryeministrinë me të gjitha mjetet e mundshme! Ky është dallimi i madh midis nesh dhe jush dhe më pas, dallimi midis Edi Ramës dhe Lulzim Bashës: Ndërsa Edi Rama i nxiste me telefon nga kullat e tua Fidel, Lulzim Basha erdhi i tërhoqi njerëzit dhe i çoi te PD-ja.

Milva Ekonomi: Z.Kasmi, ne e pamë që në protestë ju shtynit diçka prej hekuri. Pra, goditja nuk ka qenë ndaj një gazetari, por ndaj një demonstruesi. Manuali i gazetarit është që të pajisesh me mjetet identifikuese. Në këtë rast, besoj se keni qenë i papajisur me mjetet e gazetarit. Ju këshilloj të keni kujdes, mos i mbani si unë sipër kokës kur jeni në protestë.

Albana Vokshi: Tani do na mësoni ku t’i mbajmë syzet?

Gent Strazimiri: Të thellohesh në manualin e policëve dhe të arrish në konkluzionin që Bledi Kasmi është dëmtuar atë ditë në protestë se po ecte aksidentalisht përballë një shkopi që po vinte në drejtimin e kundërt, aksident, unë besoj se është pak të thuash cinike. /albeu.com/

Shtuar më 05/06/2018, ora 10:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori