Basha kujton “epopenë e UÇK” (FOTO LAJM)

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka përkujtuar 24 vjetorin e epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në ditën e rënies dëshmor të Adem Jasharit, i cili u vra bashkë 55 anëtarë të familjes së tij në Prekaz të Poshtëm të Skenderajt, Basha i ka dedikuar disa fjalë në rrjete sociale.

“Epopeja e UÇK-së, shënon ditët e krenarisë kombëtare! 24 vjet më parë Jasharët i treguan botës mbarë se çfarë çmimi ka liria për shqiptarin. Beteja epike e familjes Jashari me në krye Komandantin Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, vuri gjakun e 59 dëshmorëve në themelet e Kosovës së lirë e të pavarur!

Sakrifica sublime e familjes Jashari për Kosovën e lirë është akt themeltar i lirisë së Kosovës dhe kombit shqiptar. Flijimi i tyre skaliti një shembull të përjetshëm frymëzimi për brezat e ardhshëm, për të ruajtur të paprekur lirinë, trojet dhe dinjitetin tonë kombëtar.

Nderim përjetë Komandantit Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Adem Jashari, lavdi heronjve të Prekazit legjendar, bijve dhe bijave të Kosovës dhe të mbarë kombit shqiptar që derdhën gjakun e tyre në themelet e Kosovës së lirë e të pavarur! Zoti e bekoftë Kosovën! Zoti i bekoftë shqiptarët kudo ku janë”, shkruan ai./albeu.com/


Shtuar 5.03.2022 21:09