Berisha: Gjykata Supreme janë Rama e Don Agaçio

Ish-kryeministri Sali Berisha në konferencën për mediat nga selia blu ka  akuzuar Ramën për vendimin e tij të fundit në Këshillin e Ministrave për të tërhequr  ankimimet në Gjykatën e Lartë.

Sipas Berishës, Rama me këtë veprim e ka shpallur veten “gjykatës suprem”.

“Gjykata e Lartë lihet me 14 gjykatës, përzgjidhen me falsifikime, do u njohim në takime të tjera që zgjidhen individë nga Rama e Agaçi për t’u vendosur në gjykatë. Zgjidhja është gjetur o burra të hapim tenderin e fundit të turpshëm që të vjedhim miliona euro në çështje civile duke u faturuar tërësisht këtë në kurriz qytetarëve shqiptarë.

Shqipëria pushon së funksionuari si një shtet me drejtësi në tre shkallët, përkundrazi shkalla supreme tani e tutje është Edi Rama dhe Don Agaçio, ata janë bërë tani gjykatësit suprem me këtë vendim turpi e antikushtetues”, tha Berisha në konferencën me gazetarët.

Ndërkohë Berisha ka treguar se si do funksionojë tashmë gjykimi në Gjykatën e Lartë për dosjet e ankimuara.

“Ju duhet ta dini se gjykata në kundërshtim me kushtetutën ka hapur praktikën e revokimit të vendimeve të Gjykatës së Lartë për kalim në seancë gjyqësore, tani i kalon për gjykim në dhomë këshillimi, pa njoftuar palët.

Kjo do të thotë që një ditë prej ditësh ti e gjen veten pa shtëpi, pa pronë, pa ortakëri në biznes, sepse nuk ftohesh më në gjyq.

As në kohërat më të errëta të diktaturës nuk ka ekzistuar kjo formë kaq absurde e perverse, antiligjore”, tha Berisha.