Zbardhet dokumenti me emër dhe mbiemër, si komunisti abuzonte seksualisht me të burgosurat

Për të gjithë ata që ngrinin pikëpyetje të kota duke thënë se në burgje, për shkak të frikës o arsyesh të tjera, nuk kryheshin abuzime e përdhunime, dokumentet e Arkivit të Shtetit tregojnë të vërtetën. Jo se nuk ishin besuar ata njerëz që kanë jetuar nëpër burgje si të burgosur dhe disa gjëra i kanë parë me sytë e tyre, por se dokumentet janë gjithnjë më të besueshëm.

Të rrish me orë e ditë të tëra në arkiv, raste si këto të mëposhtmet do të gjesh pa fund. Mund të ketë edhe më të rënda se kaq, por kemi shkëputur një prej tyre. Rasti i Lika Panajotit, dëshmia e saj, tregon më së miri se disa prej bashkëkohësve, vetëm të vërtetën që nuk thonë.

Dëshmi reale, përveç dokumenteve, sot nuk është e mundur të gjenden për shkak të viteve që kanë kaluar, por deri në histori të tjera që mund të dalin prej Arkivit të Shtetit, lexoni këto…

Komitetit Qendror të P.K. Shqiptare

(Organizatës së Inspektimit, Tiranë)

Bashkëngjitur iu dërgojmë një deklaratë të lëshuar nga e burgosura Lika Panajoti, e cila gjendet në burgun e sektorit të Punëve të Brendshme të rrethit tonë. (E burgosura nuk është anëtare partie).

Kjo deklaratë lëshohet kundër shefit të seksionit të Punëve të Brendshme, Miftar Nexhipit, i cili është edhe anëtar i Komitetit të Partisë. Shoku Miftar para të burgosurës është treguar njeri pa karakter. Këtë e vërteton jo vetëm deklarata e lëshuar nga vetë e interesuara, që ka dy muaj që provokohet prej Miftarit, por kjo i ka rënë në sy edhe sekretarit të celulës, ka rënë në sy të Sigurimit, shokut Hilo Priftit, anëtar partie, ka rënë në sy të shefit të Punëve të Brendshme, Nikollaq Vangjelit, dhe të dy policëve që janë korrierë të seksionit.

Këto provokime prej Miftarit kundrejt të burgosurës paskan filluar qysh më 1 maj 1948 dhe akoma vazhdojnë të bëhen ende sot. Këtë e ka parë vetë me sytë e tij sekretari i celulës, zv.shef i Sigurimit, Mane Sinani, dhe gjithë shokët e tjerë që thamë më lart japin prova për këto provokime. Nga ana e Sinanit, ky proces i është dërguar personalisht nënkolonelit Vaskë Koleci, Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, për të marrë masat e duhura qysh me datë 13 qershor 1948 dhe akoma përgjigjja s’ka ardhur.

Komiteti i Partisë këtë gjë e mësoi në datë 24 qershor nga një letër që e burgosura ia lëshonte Toto Kalemit, kryetarit të Komitetit Ekzekutiv dhe anëtar i Komitetit të Partisë. Ajo i tregonte për gjërat që kishin ndodhur dhe i kërkonte ndihmë.

Kur Komiteti i Partisë e thirri Mane Spahiun, ku, përveç se kishte kopjen e procesverbalit të cilën po jua dërgojmë, shton duke thënë: nuk ia kam thënë partisë deri sot, për arsye se kam shkruar nga ana e kanalit zyrtar dhe për të mos u bërë alarm ia kam bërë personalisht Vaskë Kolecit.

Kjo çështje shokut Miftar, akoma nuk i është vënë në dukje nga ana e Komitetit të Partisë (ndërkaq ai vazhdon punën e tij). Nuk ia kam vënë në dukje, duke menduar se do të jetë më mirë t’u bëjmë të ditur ju dhe më pas si ta shihni ju të arsyeshme, mbasi çështja e shokut Miftar ka edhe çështje të tjera, gjë që e di edhe shoku Mithi Vjerc, i cili ka biseduar me dy sekretarët e këtij komiteti dhe mbasi mori aprovimin tonë, tha: “Miftarit mos ia thonë në Komitet, mjafton me kaq! Ne mbasi të bisedojmë edhe një herë, do t’ju përgjigjemi. Këto kanë qenë arsyet që ne nuk ju kemi thënë”.

Shtojmë se shoku Miftar para 3 muaj e gjysmë, kur shkonte me anëtaren e partisë Refiti Demën, i ka bërë një provokim. Këta shkuan për punët e partisë në lokalitetin Roskovec. Kur iu vu në dukje, shoku Miftar i tha Komitetit “unë s’e pata me qëllim, por ajo nuk di shaka”. Tani, kohët e fundit, na del që Miftari, kur ishte shoqja Gjena Bele, nëpunëse në sekretarinë e Punëve të Brendshme (sot, e përjashtuar si kandidate) e ka provokuar, por pasi ajo nuk pranoi, e hoqi nga puna (kjo çështja e Gjenës nuk ka qenë shumë e kontrolluar).

Lutemi mbasi ta merrni në studim, na tregoni mënyrën e veprimit, mundësisht sa më shpejt se mos dekonspirohet nga korrierët e seksionit dhe ne dyshojmë se mos shoku Miftar mund të bëjë ndonjë gjë kundrejt të burgosurës për të mbyllur gabimet e tij.

Ne propozojmë se për t’u parë në vende nga ana e Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, të dërgohet një i deleguar.

Shënim: Lika është dënuar përpara muajit prill. Nga ana e moralit ka qëndrime të mira.

P.K. Partisë së Rrethit Fier

Sekretari politik

Lili Bele

Deklaratë:

E nënshkruara Lika Panajoti, lindur dhe banuese në këtë qytet, kam qenë në punishten e furrës speciale të këtij qyteti dhe më datë 5.4.1948 për abuzime detyre, kam rënë në burgun e policisë së këtushme duke marrë dënimin prej gjyqit me gjashtë muaj.

Gjatë kësaj periudhe që qëndroj në burg, jam provokuar nga shefi i këtij seksioni, shoku toger Miftar Nexhipi, si kam deklaruar më poshtë…

Jam e martuar me Koli Panajotin dhe kam tre fëmijë, ndër të cilët, një vajzë të rritur. Dënimi im është i lehtë dhe mund të lëviz lirisht në mjediset e policisë ku merrem me pastrimin e dhomave, e veçanërisht të zyrës së shefit të Seksionit të Punëve të Brendshme, komunistit Miftar Nexhipi.

Ai përfiton nga rasti dhe më kërkon atë punë, por jo në zyrën e tij. Ai arrin të më puthë disa herë dhe të më shtrëngojë pas trupit. Ndërkohë, im shoq i ka bërë një kërkesë Prokurorisë së Vlorës që të diktojnë çështjen dhe të më lirojnë.

Ajo kërkesë duhej firmosur, gjë që nuk është bërë ende. Me këtë rast, janë shtuar provokimet e shefit, si kusht për lirimin tim. Më thotë se më ka dashur që kur isha jashtë dhe se vazhdon të më dojë, pavarësisht se jam e martuar. Unë i jam përgjigjur se e dua gjithashtu, por se duhet të ruheshim nga policët se mos ndodh ndonjë skandal.

Ai betohet për ideal se e ka seriozisht. Kjo situatë përsëritet përditë, sa herë shkoj për pastrim në zyrën e tij, ngacmimet vazhdojnë me kapje e puthje. Por gjithmonë i kërkoja të më lironte për ta vazhduar këtë punë jashtë. Në atë seksion punonte edhe një kushëri i imi si oficer i Sigurimit.

E bisedova çështjen me të, por mendimi i tij ishte se mos shefi donte të provonte ndershmërinë time dhe nuk kishte qëllime për vete. Megjithatë, ai premtoi se do ta bisedonte edhe me zv.shefin, Mane Sinanin. Ky e thirri në zyrën e tij dhe i kërkoi shpjegime, por pasi e dëgjoi i pati thënë se këto janë fatet e njeriut, por unë të mos mërzitesha, të vazhdoja me disa premtime të vogla deri sa të kuptonin më mirë punën.

Mbas disa ditësh, nga dritarja e hapur e zyrës së shefit, zëvendësi i tij Mane Sinani, na pa të përqafuar. Por edhe pas kësaj skeme dashurie, Mane nuk e bëri problem këtë çështje. Më pasi kërkova të largohesha 2-3 ditë në shtëpi, të më ndihmonte, por më tha se nuk kishte mundësi pasi nuk donin shokët.

E pyeta kush nuk donte, Mania? Nëse ishte ai, mund t’i kërkoja leje vetë… Ai mendonte se ishte gabim t’i thosha, por nëse ai pranonte, më kujtoi të mbaja fjalën. I thashë se bënte gabim që mendonte kështu dhe për të qenë e besueshme, i thashë të vinte në dhomën time të mbaronte qëllimet e tij.

Më tha se kishte frikë nga policët, por po të doja, mund të rrinim në zyrën e tij. Por në zyrë nuk bëhen të tilla gjëra, iu përgjigja. Më përsëriti se më ka dashur që jashtë, por se i ka ardhur zor të më thotë. U tregova e çuditur dhe vijova t’i them se do kishte qenë më mirë të më kishte thënë që jashtë, sepse ashtu unë nuk do të kisha rënë në burg.

Kështu gjërat vazhdonin çdo ditë, por në datën 12.6.1948 u përkeqësuan, pasi shkova për pastrim dhe ai më thotë se nuk do më ndahet pa më puthur, të bëhej ç’të bëhej. I them se do të na shihnin nëpunësit dhe do na merrte dreqi të dyve, por ai si i tërbuar m’u hodh në gjoks si gjarpër i keq, ndërsa unë e shtyja dhe po përpiqesha të dilja përjashta.

Ai i vuri krahët derës dhe unë s’kisha nga të dilja, përveçse nga dritarja. Por ai më afrohet, më zë prej trupi duke më tërhequr pas vetes. Thashë se do bërtisja, por ai vazhdonte se do ta arrinte qëllimin. I thashë edhe një herë se mund ta vazhdonim jashtë, nëse më lejonte të dilja, madje se mund të vazhdonim gjithë jetën.

Për sa deklaroj më sipër, ju siguroj se janë të gjitha të vërteta dhe ato që deklaroj i bën me qëllime të caktuara, se kërkon të përulë elementët e pushtetit dhe jam gati të pranoj çdo pasojë, por se sipas besimit që kam ndaj pushtetit, jam e sigurt se ky provokim që më bëhet nga toger Miftari më jep shembullin e udhëheqësve të Ballit dhe për mua është e tejkaluar.

Për sa më sipër, jam gati të deklaroj ku ta lypë nevoja dhe e kërkoj këtë të padrejtë deri në fund. Të gjitha thëniet e mësipërme, pasi i lexova mirë, i firmos me firmën time origjinale.

Komiteti i qytetit

Durrës Komitetit Qendror të P.K. Shqiptare

Këtu poshtë po ju japim një relacion mbi qëndrimin e shokut Skënder Mushi: Shoku Skënder Mushi, në datën 30 në mbrëmje (muaji prill) niset në Tiranë për të parakaluar në “1 Maj” me disa punëtorë me vaporin “Borova”, ku punëtorët kishin kohë që punonin për të nxjerrë sa më të mirë këtë parakalim dhe shoku niset së bashku me punëtorët në orën 2 pas mesnate, ku aty marrin pjesë punëtorë, por ky, përveç këtyre, merr me vete edhe dy elementë të pa organizuar dhe imoralë, si dhe disa vajza imorale.

Një nga këto ishte reaksionare dhe që duhej pushuar nga puna si e tillë, por jo vetëm që nuk e pushon, por shoqërohet gjithmonë me të, kjo kishte rënë shumë në sytë e punëtorëve dhe kanë pëshpëritur gjithandej për shoqërimin e tyre.

Arsyeja e mosmarrjes pjesë në parakalimin e vaporit ka qenë se ky iku në Tiranë me këto vajza, si dhe duke gënjyer punëtorët e tjerë prisni këtu, kështu ata prisnin drejtorin, por kur panë që ai u vonua, donin të parakalonin vetë, vetëm se ishte tepër vonë sepse gjithçka kishte marrë fund e u kthyen të dëshpëruar.

Në kohën kur po ktheheshin për në Durrës, Skënderi ishte mbyllur në një kabinë të vaporit me dy vajza dhe në tjetrën një element i paorganizuar me një tjetër shoqe ishin mbyllur në një tjetër kabinë. Në atë kohë, shoferi hyn brenda dhe i kap në flagrancë.

Drejtori i përgjigjet shoferit në një mënyrë brutale duke thënë “pse më shikoni, edhe unë kam ndjenja seksuale?!”. E largoi duke i thënë maskara dhe duke i kërkuar të mos fliste me njeri. Shoku Skënder u kishte thënë disa shokëve të tij që sot kemi bërë qejf e të tjera maskarallëqe si këto që i kanë parë punëtorët dhe janë në gjendje t’i faktojnë sepse është bërë bujë e madhe.

Nga ana tjetër, punëtorët kanë filluar ta urrejnë dhe i kanë kërkuar llogari se pse vapori nuk ka parakaluar. Drejtori u ka thënë të kërkojnë sqarim te zv.ministri Niazi Islami. Ne nuk e kemi takuar ende zv.ministrin, pasi ka qenë në lëvizje, por tani po ju vëmë në dijeni dhe nëse vëmë re raste të tjera, do t’ju njoftojmë sërish.

Për Komitetin e P.K. Shqiptare

Qytetit Durrës

Nimet Ymeri

***

Drejtoria e Policisë Popullore

Nr 9/36 Tiranë më 15/5/1948

Komitetit Qendror të P.K. Shqiptare

(Drejtorisë së Organo-Inspektimit, Tiranë)

U vumë në dijeni se kandidati i Partisë, Taip Afiz Vlorës, ka marrë 24 orë leje dhe ka shkuar për punë private në Fier. Kur po kthehej nga Fieri ka qëndruar për darkë te një miku i tij në një katund, i cili ishte i burgosur për faje ordinere. Ku, mbasi u deh me raki, kreu nevojat e tij seksuale me dy gratë që gjeti në shtëpi.

Kjo vepër ra në sy të popullit në mëngjes dhe kur e mori vesh plaka e shtëpisë, e bëri çështjen alarmante aq sa u grumbullua i tërë populli i katundit ndërsa ‘miku’ ka zbritur nga dritarja e shtëpisë. Rrugës e ka takuar një fshatar dhe e ka pyetur se pse vraponte, ndërsa kandidati e ka qëlluar me shpullë dhe ka vazhduar rrugën.

Kur është kthyer në Vlorë, ka dashur të fshehë të vërtetën duke porositur shokët që të thonë se ka ardhur që në mbrëmje. Për këtë vepër, celula bazë vendosi ta përjashtojë si kandidat partie.

P. Seksioni Politik

Sokrat Bufi

***

Partia Komuniste e Shqipërisë

Komiteti Partisë së Rrethit Mirditë

Komitetit Qendror P.K. Shqiptare (

Drejtorisë së kuadrit, Tiranë, 29/4/1948)

Ju njoftojmë se nga data 15 e këtij muaji, anëtari i partisë Selfo Abazi, nëntoger i Mbrojtjes së Popullit, i cili bën pjesë në regjimentin e 7 malor të Mbrojtjes së Popullit Shkodër, duke qenë në shërbim me njësitë operuese në rrethin tonë, ka shkuar në katundin Kaçinar me shërbim, ku në këtë ditë, populli është i grumbulluar në kishë.

Shoku nëntoger hyn brenda në kishë dhe ndërsa prifti predikonte për çështje fetare, thotë në mes të kishës se po nuk i varëm të gjithë priftërinjtë brenda në kishë, nuk mund të shkojmë në socializëm.

Vazhdon duke thënë se të gjitha pikturat që keni vënë këtu në kishë janë shumë të bukura, sidomos ‘zoja e bekueme asht shumë e bukur dhe po ta kesh me fjet asht shumë e mirë”.

Vijon të flasë me fjalë brutale, si dhe thotë se Zoti ka shkuar tek anglo-amerikanët, prandaj s’keni pse bëni lutje e sa e sa të tjera fjalë që as mund të përmenden. Kjo ngjarje bëri mjaft bujë në popull.

Përveç kësaj, i ka thënë priftit se sa gra e vajza ka çnderuar në muajt e tjerë. Për këtë është në dijeni edhe seksioni i Sigurimit, ku u ka thënë prifti se pushteti nuk ka këtë politikë dhe e mbron kishën me statut.

Haki Kraja

***

Lënda: Mbi humbjen e shallit të Elmas Bilbilit

Komitetit Qendror të PKSH

Drejtorisë së Organizim-Inspektimit, Tiranë

Çështja e humbjes së shallit të Elmas Bilbilit ka qenë kështu: Kur ka ardhur për inspektim këtu, ka marrë shoqen Dituri Bizbiqi dhe ka shkuar dy-tre km rrugë deri në vendin e quajtur çiflig.

Atje ka ndenjur për 2-3 orë me radhë, pastaj është kthyer prapë në Çorovodë dhe më mes të rrugës, në kthim, ka harruar shallin. Rrugës ka takuar një fshatar të zonës, Hamit Avdylin dhe i ka kërkuar të shohë për shallin kur të shkojë lart dhe nëse e gjente, t’ia niste në Çorovodë.

Avdyli i pyet ku kanë qenë dhe ai i tregon se ka qenë në Mollas. Fshatari pyet nëse kanë qenë shokët e organizatës së rinisë, por banorët mohojnë.

Atëherë ai merr shallin dhe ia dorëzon shoqes Dituri, e cila kishte qenë me Elmasin duke i bërë me dije se ishte në dijeni të aktit imoral që kishin bërë.
Shtuar më 21/04/2019, ora 19:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori