Zbardhet detaji/ Ja pse u shkarkua Hajdarmataj dhe u emërua Prela
Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku, shkarkoi sot nga detyra e kreut të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj.

Në vend të tij, Marku firmosi emërimin e Donika Prela, prokurore e Durrësit, e cila më parë ishte e komanduar si drejtuese e Prokurorisë në këtë qytet.

Por cilat janë arsyet e shkarkimit të Hajdarmatajt? Përveç faktit se ai ka në dorë si prokuror dosjen për ish-ministrin e Brendshëm, Sajmir Tahiri, duke qenë në grupin e prokurorëve që po hetojnë lidhjet e tij me Habilajt, duket se në shkarkimin e Hajdarmatajt ka ndikuar edhe një tjetër çështje.

Burime të prokurorisë bënë të ditur për Syri.net se shkaku i shkarkimit të Hajdarmatajt dhe emërimi në këtë pozicion të Donika Prelës lidhet me ish-Kryeprokurorin Adriatik Llalla dhe hetimet ndaj tij.

Sikundër mësohet nga burimet, Kreu i shkarkuar i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, nuk ka pranuar të firmosë urdhër-arrestin për ish-Kryeprokurorin pa pasur prova.

Kjo duket se është arsyeja që Marku ka vendosur jo vetëm të largojë Hajdarmatajn nga posti, por të emërojë në këtë pozicion Donika Prelën.

Kjo e fundit si prokurore e Durrësit hetoi Adriatik Llallën, ndërsa regjistrimi i procedimit u bë pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dërgoi një javë më parë zyrtarisht gjetjet për ish-prokurorin e përgjithshëm.

Një javë më parë dosja në fjalë u transferua nga Durrësi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe një javë pasi kjo dosje mbërriti ndodhi edhe ndryshimi i kreut të kësaj Prokurorie. Është pikërisht Prela, e cila u transferua nga Durrësi në Tiranë, për të drejtuar Prokurorinë në të cilën transferoi dosjen e ish-Kryeprokurorit.
Shtuar më 09/05/2018, ora 18:24
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori