Zbardhet detajet për “luftën” në Lushnje, autori vrau mikun e Bares
Pëlqej
Për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Lushnje ku humbën jetën dy të rinj janë shpallur në kërkim Laert Haxhiu, 25 vjeç dhe Orges Bilbili, 27 vjeç.

Dy të dyshuarit janë emra të njohur për policinë, pasi rezulton se kanë precedentë penalë, përfshirë vrasjet, plagosjet, vjedhjet, trafiku i drogës etj.

Sipas të dhënave zyrtare që tashmë rezultojnë në dosjet e Prokurorisë e Gjyqësorit, Laert Haxhiu është autor i vrasjes së shokut të Aldo Bares, Gerti Lala, 29 vjeç.

Ngjarja ku i riu që njihej me nofkën “Iriqi” mbeti i vrarë, ndodhi më 8 korrik të vitit 2010.

Viktima njihej si pjesë- marrës në bandën e Aldo Bares. Për këtë krim, Laert Haxhiu u dënua me 32 vjet burg, por me vendim të Gjykatës së Apelit ai u lirua pas tri vitesh.

Lirimi i tij u argumentua me mungesën e provave, shkruan Panorama.

TRAFIKU I DROGES

Ai doli nga burgu në fund të 2014-s, ndërsa u arrestua sërish në qershor të vitit 2015 në Durrës, për trafik heroine gjatë operacionit të koduar “Smart”, ku u sekuestrua një sasi prej 1.2 kg heroinë.

Gjatë operacionit për arrestimin e tij, Laert Haxhiu tentoi të arratisej me këmbë dhe u hodh nga një mur i lartë 4 metra, ku theu këmbën.

Në momentin e prangosjes, ai i tha Policisë se u largua pasi mendoi se ishin njerëzit e Aldo Bares që e ndiqnin dhe u frikësua.

Në fund, Gjykata e Durrësit e dënoi Haxhiun për moskallë- zim krimi, duke dhënë 17 muaj burgim për të, pavarësisht se Prokuroria e Durrësit kërkoi dënimin e tij me 8 vite burg si i përfshirë në trafik droge.

“Gjykata, në bazë të neneve 379 e vijues të K. Pr. Penale, vendosi: 1- Të deklarojë fajtor të pandehurin Laert Haxhiu, për veprën penale “moskallëzim krimi”, dhe në bazë të N.300/1 të K. Penal e dënon me 26 (njëzetë e gjashtë) muaj burgim.

Në aplikim të N. 406 të K. Pr. Penale, i ulet 1/3 e dënimit, duke e dënuar përfundimisht të pandehurin Laert Haxhiu me 17(shtatëmbëdhjetë) muaj e 10 (dhjetë) ditë burgim.

Vuajtja e dënimit të pandehurit Laert Haxhiu i fillon nga dita e arrestimit, datë 10.6.2015″, thuhet në vendimin e dhënë më 19 maj të vitit 2016 nga Gjykata e Durrësit.

Sipas Gjykatës, lidhur me ngjarjen, Haxhiu deklaroi se ditën e ngjarjes është nisur rreth orës 12:00 – 12:30 nga shtëpia e tij në Lushnjë, me makinën e të fejuarës së tij dhe me mikun e tij të quajtur Saimir Taullau.

Me shtetasin Saimir Taullau njihet pasi e ka mik shtëpie, por nuk ka dijeni se ai merret me trafik apo me shitje të lëndëve narkotike. Haxhiu kishte edhe një linjë autobusësh me Greqinë dhe dyshohet se e ka përdorur edhe për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

HAKMARRJET MES BANDAVE

Haxhiu rezulton se është shoku i ngushtë i Saimir Taullaut. Në vitin 2005, vëllai i Saimir Taullaut, Baki Taullau, është ekzekutuar me armë zjarri. Familja Taullau njihet për konfliktin e hapur me bandën e Aldo Bares, ku këta të fundit, sipas dëshmive të dhëna në gjykatë, i kanë vënë gjoba.

Familja Taullau ka akuzuar bandën e Lushnjës për vrasjen e Baki Taullaut në vitin 2005. Babai i Xhulios, Ramadan Shkurti, u ekzekutua në vitin 1997 nga Artur Daja dhe bashkëpunëtorët e tij.

I DYSHUARI ORGES BILBILI

Ndërkaq, autori tjetër i dyshuar për vrasjen e dy ditëve më parë në Lushnjë, Orges Bilbili, rezulton se është dënuar me 7 vite e 4 muaj burgim për trafikim lëndësh narkotike.

Ai rezulton person i shpallur në kërkim si bashkëpunëtor i pilotit italian, Giorgio Riformato, avioni i të cilit ngeci në bregdetin e Divjakës, teksa po përgatitej për të trafikuar lëndë narkotike nga Shqipëria për në Itali.

Bashkë me Haxhiun, Orges Bilbili është i dyshuar edhe për atentatin e një viti më parë, ku u plagosën dy miqtë e viktimave të dy netëve më parë, Xhulio Shkurti (nipi i Aldo Bares) dhe Sajmo Xhelili. Bashkë me dy të plagosurit ka qenë edhe Zamir Latifi, i cili asokohe nuk pësoi plagë. /albeu.com/

Shtuar më 13/10/2017, ora 14:09
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori