Zbardhët dëshmia e Dashamir Xhepës që vrau kunatën për Shën Valentin
Prokuroria e Tiranës ka kërkuar dënimin me burg përjetë të shtetasit Dashamir Xhepa, i akuzuar për vrasjen e kunatës së tij më 14 shkurt të vitit 2019.

Pretenca është dhënë seancën e djeshme nga prokurori Albert Demirneli, i cili i ka kërkuar gjyqtarit Artan Gjermeni të dënojë Xhepën me burg përjetë. Krimi i rëndë ndodhi në muajin shkurt 2019, ndërkohë Xhepa u arrestua në një hotel në Peshkopi pak ditë pas ngjarjes.

Viktima 49-vjeçare, Lirie Xhepa, nënë e 4 fëmijëve, u gjet e pajetë pranë kodrave të liqenit të Sharrës. Autori i dyshuar, Dashamir Xhepa, ka thënë se me viktimën kishte konflikte të shumta për pronat që pas ndarjes nga jeta e vëllait të tij. Po ashtu, Xhepa është shprehur se 49-vjeçarja i kishte ulur reputacionin e familjes duke krijuar marrëdhënie intime me persona të tjerë në fshat.

“Që pas vdekjes së vëllait tim, me Lirie Xhepën kemi pasur konflikte të shpeshta për pronat tona. Ajo na kishte ulur reputacionin familjar, pasi krijonte lidhje intime me persona të tjerë në fshat, ndaj edhe e vrava”, është shprehur autori i dyshuar gjatë dëshmisë së tij.

Lirie Xhepa fillimisht është goditur me sende të forta pas koke, hekur ose gurë mëngjesin e 14 shkurtit. Më pas ajo është qëlluar me pistoletë nga një distancë e afërt, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Më pas 49- vjeçarja është qëlluar dhe dy herë në bark. Bashkëshorti i saj ishte ndarë nga jeta vite më parë, dhe 49-vjeçarja jetonte e vetme me dy fëmijët e saj. Viktima me kunatin e saj janë fqinj, banesat e tyre ishin 500 metra larg dhe ndodhen në lagjen “Qershori”, në periferi të Kombinatit në Tiranë. Lirie Xhepa kishte pasur konflikte të vazhdueshme me njerëzit e burrit të saj të ndarë nga jeta. Po ashtu, grupi hetimor nuk ka përjashtuar në asnjë moment edhe faktin se mes viktimës dhe autorit mund të ketë pasur një lidhje intime. Banorët e zonës ku ndodhi ngjarja, janë shprehur ditën e ngjarjes se të gjithë ishin në dijeni të lidhjes intime mes tyre. Madje, edhe të dhunës së vazhdueshme që ushtrohej ndaj 49-vjeçares, por askush nuk fliste.

SI NDODHI NGJARJA

Kujtojmë që ngjarja e rëndë është zbuluar orët e para të mëngjesit të datës 14 shkurt 2019. Kanë qenë banorët e fshatit Sharrë, ata që kanë lajmëruar Policinë se një trup i pajetë ishte hedhur në ferra. Me të shkuar në vendin e ngjarjes, Policia ka bërë të mundur nxjerrjen e viktimës nga shkurret, për ta çuar më pas në morg. Pas disa orësh, është bërë dhe identifikimi i saj, që ishte shtetasja Lirie Xhepa.

Pas hetimeve të kryera, Policia arrestoi atë kohë si autor të dyshuar kunatin e viktimës, Dashamir Xhepa. Fillimisht u hodh hipoteza se viktima dhe autori i dyshuar mund të kishin një lidhje intime. Por ky fakt ende nuk është vërtetuar. Fëmijët e viktimës gjatë deklaratave të tyre kanë mohuar se nëna e tyre mund të jetë vrarë si pasojë e një lidhjeje, por gjithçka ka ndodhur për një shumë parash që ende nuk është zbuluar ku janë. Ndërkohë, autori i dyshuar pas vrasjes është arrestuar në një hotel në Peshkopi, ku edhe i fshihej Policisë. Ndërkohë, banorët e zonës janë shprehur se trupi i viktimës është hedhur në ferra nga një makinë, e cila është larguar më pas me shpejtësi.
Shtuar më 22/10/2020, ora 12:14

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori