Zbardhen shkaqet/ Ja pse u arrestua shefi i Kardiologjisë në Spitalin e Shkodrës
Policia e
Shkodrës mbrëmjen e djeshme ka
arrestuar shefin e Pavionit të Kardiologjisë në Spitalin Rajonal të
Shkodrës, Edi Smajlaj. Ai dyshohet se ka falsifikuar dokumentet shëndetësore të pedagogut
Simon Lufi, i
arrestuar një ditë më parë për korrupsion pasiv.
Sipas njoftimit të policisë, arrestimi i mjekut Smajlaj u bë pas verifikimit të informacionit se në Spitalin Rajonal të
Shkodrës po kryheshin veprime të jashtëligjshme në favor të personave të
arrestuar.
Smajlaj, i cili gjatë dy ditëve të fundit nuk ka qenë në detyrën e mjekut të rojës, dyshohet se ka falsifikuar kartelën mjekësore për pacientin
Simon Lufi, pedagog në Universitetin e
Shkodrës, i
arrestuar një ditë më parë nga
policia.
Shefi i katedrës së historisë,
Simon Lufi, pas arrestimit kishte kërkuar ndihmë mjekësore në repartin e urgjencës së spitalit. Së bashku me të, një ditë më parë,
policia kishte
arrestuar 9 persona dhe kishte shpallur në kërkim 5 të tjerë si të dyshuar për krijimin e një skeme korrupsioni në Universitetin e
Shkodrës.
Të arrestuarit e djeshëm janë pedagogë, studentë dhe sekserë, të cilët dyshohet se bashkëpunonin duke favorizuar në provime studentë të veçantë përkundrejt shumave nga 200 deri në 700 euro./Albeu.com/
Shtuar më 24/11/2016,
ora 07:39