Si po e josh Putini Perëndimin që të heqë dorë nga Ukraina

Vizitat e presidentit francez Emmanuel Macron në Moskë dhe Kiev, nuk sollën asgjë thelbësore. Përkundrazi, ndërsa më shumë trupa ruse po vazhdojnë të mbërrijnë në kufi me Ukrainën, vëmendja e botës u shmang nga një batutë e vjetër e presidentit Vladimir Putin.

Ai e përmendi thënien menjëherë pas takimit të tij me Macron. Por në fakt ishte duke iu drejtuar ukrainasve:”Ju pëlqen ose jo, kjo është detyra juaj, bukuroshja ime!”. Analistët në Rusi, Ukrainë dhe kudo në botë u përqendruan tek debati se sa fyese është kjo frazë, mbi epërsinë dhe nën-tonet e saj seksuale, por edhe origjinën e saj në folklorin rus.

Ata ranë dakord se ky ishte një tjetër akt bullizues i Putin ndaj popullit fqinj. Por momenti i thënies së kësaj fraze, e demaskon stilin dredharak të lojës së tij politike, më shumë për thelbin se sa formën e saj.

Kërcënimi i tij i fshehtë ndaj presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky nuk ishte për një pushtim të ri, por për Marrëveshjet e Minskut, të cilat lideri ukrainas i kundërshton. Teksa bota po i kushton vëmendje qoftë edhe një ironie therëse, fakt është se “Minsku” është rikthyer tani në tryezën e bisedimeve.

Një duartrokitje të gjatë për kreun e Kremlinit! Ajo është vetëm një shenjë tjetër se Putini po josh që të gjithë udhëheqësit botërorë, që të arrijnë së bashku një kompromis të madh. Mendoni pak për këtë:Gjatë gjithë kësaj kohe, ndërsa presidenti rus po grumbullon trupa në kufirin me Ukrainën, ai ka deklaruar vazhdimisht se Rusia nuk do ta sulmojë kurrë Ukrainën.

Ndërkohë gjatë gjithë kësaj kohe, mediat perëndimore kanë përhapur lajmet për një pushtim të afërt të plotë rus dhe aneksimin e Ukrainës. Gjatë gjithë kësaj kohe, SHBA-ja dhe Evropa kanë dërguar ndihmë ushtarake dhe financiare, kanë krijuar aleanca të reja ekonomike dhe të sigurisë, kanë përgatitur sanksione, si dhe kanë monitoruar lëvizjet ushtarake ruse në kufirin Rusi-Ukrainë.

E megjithatë, gjatë gjithë kësaj kohe, vetë ukrainasit janë skeptikë për atë që po thonë Moska dhe Uashingtoni! Jo, shumica e njerëzve në Kiev dyshojnë se një luftë e madhe do të ndodhë. Gjithashtu ata e dinë se asgjë nuk është e pamundur, pasi ishte po Rusia, ajo që e aneksoi Krimenë në vitin 2014.

Dhe kjo na çon sërish tek Marrëveshjet e Minskut, dhe tek “misioni” i supozuar i Zelensky për të rënë dakord me zyrtarizimin e pushtimit rus të Donbasit dhe Krimesë. Frika nga një luftë e madhe që ka dominuar 2 muajve të fundit, zbehet nga realiteti se këto territore ukrainase janë pushtuar në fakt 8 vite më parë në vazhdën e aneksimit të Krimesë, nën presionin e një operacioni ushtarak të përgjakshëm, ku vetëm në Ilovaysk ranë në grackë qindra ushtarë dhe vullnetarë ukrainas.

Më shumë se 300 prej tyre u vranë, dhe shumë të tjerë u kapën robër, dhe mbahen ende sot si të tillë, më shumë se 7 vjet më vonë). Duke u përballur me një presion të madh nga të gjitha anët në vitin 2014, presidenti ukrainas Petro Poroshenko u detyrua të nënshkruante Marrëveshjet e Minskut.

Por nëse ato zbatohen tani, do të shkaktonin protesta të mëdha, dhe kjo me siguri do të shënonte fundin e karrierës politike të Zelensky dhe rrënimin e partisë së tij. Për më tepër, Putin e di se mund të shkaktojë atë lloj destabilizimi të brendshëm që do ta bënte më të lehtë sesa mund ta ëndërronte marrjen e Kievit nga Rusia, pa pasur aspak nevojë për trupa shtesë, dhe duke u përballur vetëm një rezistencë të vogël evropiane ose amerikane.

Pranimi i Marrëveshjeve të Minskut, do të ishte në fakt një katastrofë për Ukrainën, dhe nuk do të pranohej kurrë nga populli ukrainas. Njëkohësisht, është më se e qartë se pozicioni i ukrainasve, nuk do të gjente mbështetje në botë.

Paqja në Evropë me çmimin e një marrëveshjeje lokale nuk është thjesht e pranueshme, por është rezultati më i mirë në kushtet aktuale. Strategjia elegante e Putinit, i ka lënë më në fund kundërshtarët e tij të izoluar në një qoshe në skakierën rajonale.

Mospranimi i Marrëveshjeve të Minskut, do të konsiderohet si nga Rusia ashtu edhe nga Evropa si një refuzim i paqes nga ana e Ukrainës, dhe për këtë arsye mund të çojë në ndërhyrje të reja ushtarake. Për shembull, Putin mund të pushtojë Kharkiv ose Mariupol, qytete kufitare ku qëndrimi i popullatës lokale është shumë i paqartë.

Dhe pranimi i rusëve krahëhapur, do të çonte në trazira të mëdha sociale brenda vetë Ukrainës dhe me siguri në rënien e qeverisë aktuale. Edhe sa do të jetë në gjendje “bukuroshja” të kërcejë pranë zjarrit rus pa u djegur?

Duket se kjo varet jo vetëm nga sa të sinqertë janë udhëheqësit evropianë dhe amerikanë për ta mbështetur vërtetë Ukrainën. Por nëse ata do ta kuptojnë, se duke e detyruar Ukrainën të bëjë paqe nëpërmjet Marrëveshjeve të Minskun, kostoja do të jetë vetë ekzistenca e këtij vendit. /abcnews.al


Shtuar 11.02.2022 15:24