Zbardhen detaje të reja/ Masakra në Dajç pas sherrit për lojën e pokerit
Masakra në Dajç ku humbën jetën 2 persona dhe u plagosën 4 të tjerë ka ndodhur për shkak të një sherri për një lojë pokeri.
Viktimat humbën jetën si pasojë e plumbave që u qëlluan me breshëri nga autori i krimit, në një lokal në qendër të fshatit, raporton “Panorama”

Autori, i identifikuar nga policia si Miklovan Parubi, me një kallashnikov në dorë, rreth orës 23:00 i është drejtuar lokalit të zonës dhe ka qëlluar kuturu.

Nga plumbat ka gjetur vdekjen Arjet Saiti, 40 vjeç dhe Gacalin Kopshti, 29 vjeç, ndërsa janë plagosur Ndok Marku, 35 vjeç, Vicens Kopshti 26 vjeç (vëllai i viktimës), Aleks Prendi 40 vjeç dhe Kitas Molla, 26 vjeç.

Të gjithë u transportuan për në urgjencën e spitalit të Shkodrës, por Saiti dhe Kopshti gjetën vdekjen si pasojë e plagëve të shumta. Sipas Policisë, ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme, rreth orës 22:40, në një lokal te vendi i njohur si “Kryqëzimi i Dajçit”, në Shkodër.

Fillimisht u dha njoftimi se ka të shtëna me armë zjarri, por në vendin e ngjarjes policia e Shkodrës pa masakër. Nga të dhënat e para u pohua se mes personave të lënduar dhe autorit kishte ndodhur një konflikt gjatë një loje pokeri.

Mes tyre kishte nisur sherri, i cili u pasua me fyerje ndërmjet palëve. I rënduar nga fyerjet ka qenë Miklovan Parubi, 33 vjeç, i cili sipas Policisë ishte person i njohur në zonë si përdorues i lëndëve narkotike dhe me probleme emocionale të pakontrolluara.

Ai është tërhequr nga lokali aq sa për të marrë një armë kallashnikov dhe me të ka hyrë brenda pak çaste më vonë, për të ekzekutuar dy prej bashkëfshatarëve të tij. Nuk dihet ende nëse autori i kishte shënjestër dy viktimat apo ka qëlluar në mënyrë të pakontrolluar dhe plumbat i morën jetën atyre.

Ndërkohë, 4 të plagosurit mësohet se janë jashtë rreziku për jetën, në spitalin e Shkodrës. Menjëherë janë ngritur pika kontrolli, si dhe po bëhet krehja e zonës, në bashkëpunim me FNSH¬në, me qëllim kapjen e autori Miklovan Parubi, i cili është arratisur bashkë me armën e krimit. Një grup hetimor i përbashkët mes Policisë dhe Prokurorisë po punon për zbardhjen e plotë të krimit, i cili është më i rëndi për këtë vit në Shkodër.

Pritet që të merret dëshmia e të mbijetuarve, të cilët të tregojnë me detaje se çfarë ndodhi në lokalin e masakrës. Edhe pse paraprakisht është theksuar se krimi erdhi pas një konflikti për motive të dobëta, po hetohet për të konfirmuar nëse më parë mes autorit Parubi dhe personave të tjerë ka pasur ndonjë konflikt./Albeu.com/
Shtuar më 04/10/2016, ora 08:25

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori