Zannier: Jam i shqetesuar per veriun
Albeu.com
Shefi i misionit të OKB-së në Kosovë, Lamberto Zannier, në një intervistë më të gjërë që sot e boton Koha Ditore ka shprehur bindjen se Zyra e UNMIK-ut në veri të Mitrovicës nuk do të mbyllet edhe për një afat të pacaktuar, ngjashëm sikur që do të vazhdojë angazhimi i kësaj pranie në Kosovë në përputhje me Rezolutën 1244.
Zannier ka bërë të ditur se personalisht është i shqetësuar për veriun, sepse ndien se ka potencial për destabilitet. Çelësi për përparim në pjesën problematike të vendit, sipas tij, qëndron tek promovimi i pajtimit ndëretnik dhe forcimi i institucioneve shumetnike. Për këtë, siç thotë ai, është e nevojshme prania e UNMIK-ut.

“Zyra e UNMIK-ut në veri të Mitrovicës është një mjet që mundëson funksionimin e administratës lokale, që është e pranuar nga popullata dhe që është e lidhur me buxhetin e Kosovës. Prandaj e mban këtë pjesë në sferën e Kosovës. Dhe kjo mund të bëhet në mënyrë neutrale. Dhe normalisht në ditën kur gjendet një zgjidhje afatgjate e qëndrueshme për të organizuar administratën lokale, në çfarëdo mënyre që është e pranueshme për të gjitha palët dhe veçanërisht për popullatën lokale, atëherë nuk do të ketë nevojë për të mbajtur funksionale këtë zyrë”, ka thënë Zannier në një intervistë për “Kohën Ditore”.

Diplomati italian ka theksuar se UNMIK-u është i gatshëm që të vazhdojë të luajë një rol në adresimin e çështjeve që kanë të bëjnë me veriun, por se nuk e identifikon veten me autorët e kësaj strategjie, edhe pse ky draft përmban elemente brenda të cilave misioni i OKB-së do të mund të ofronte një lloj partneriteti.

Krahas kësaj Zannier ka thënë se UNMIK-u do të vazhdojë funksionimin sipas Rezolutës 1244, duke mbajtur qëndrim neutral ndaj statusit, me ç’rast do të angazhohet për gjetjen e zgjidhjeve praktike. Sipas tij, mospajtimi i Prishtinës dhe Beogradit rreth çështjes së statusit nuk duhet të pengojë dialogun teknik. PSSP-ja ka pohuar se mendimi këshillëdhënës i GJND-së mund të ngjallë një debat në forumet e OKB-së, por pa ndikim të theksuar në misionin e UNMIK-ut. Në intervistën për “Kohën Ditore” ai ka folur edhe për përfaqësimin dhe pozicionin ndërkombëtar, për raportet me liderët dhe sfidat me të cilat ballafaqohet Kosova.
Shtuar më 02/02/2010, ora 16:43
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori