Takimi me Berishën, Meta zbulon çfarë diskutuan, koment dhe për garimin e Bashës për drejtimin e PD

Pas takimit me ish-kryeministrin Sali Beirsha, kreu i Partisë së LIRISË Ilir Meta ka dalë në një prononcim për mediat duke zbuluar detaje nga diskutimet mes tyre.

Meta u shpreh se kanë diskutuar për protestat e paralajmëruara nga Berisha, ku tha se janë rruga e domosdoshme.

“Jemi për mbështetjen e protestave, jo vetëm të inicuara nga partitë opozitare. Protestat janë një rrugë e domosdoshme.  Do jetë përshkallëzimi i luftës kundër korrupsionit, vazhdimi pa ndërprerje për të denoncuar aferën e djegësve që ka shkuar mbi 700 mln euro dhe vendosjen e përgjegjësve para drejtësisë”, tha Meta.

A jeni thirrur në SPAK?

Ilir Meta: Nuk do të ketë asnjëlloj shqetësimi në raportet e Metës me drejtësinë. Paratë e qytetarëve digjen lum nga korrupsioni, ka garant kryesor kreun e aferës së djegësve që është vetë kryeministri. Mos kini asnjë shqetësim, përveçse të mbrohen paratë e qytetarëve shqiptarë.

I pyetur për garimin e Bashës për kreun e PD-së, Meta u përgjigj: “Ishte takimi frytshëm me liderin e PD-së dhe njëkohësisht uroj e besoj që gjithë demokratët, opozitarët të jenë atje ku duhen në vijën e parë të ballafaqimit me këtë regjim”.