Zërat përtej dyerve të mbyllura
Albeu.com
Deri në orët e vona të natës, sipas kohës sonë lokale, ka vazhduar seanca me dyer të mbyllura të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Para anëtarëve të këtij Këshilli, i dërguari i posaçëm i OKB-së për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, mbrojti para anëtarëve të KS-së planin e tij për pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës.Në takimin, siç quhej, konsultativ, jo formal, mori pjesë edhe presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, shefi i UNMIK-ut, Joakim Ryker dhe kryeministri i Serbisë, Vojisllav Koshtunica.

Siç u bë e ditur, pas një debati të gjatë dhe të ashpër, edhe pse është pritur shumë, presidentit Fatmir Sejdiu nuk iu dha fjala dhe në vend të tij, ashtu siç kishtë kërkuar kryeministri Koshtunica, foli kryeadministratori Joakim Ryker, ndërkohë që nga pala serbe, foli dhe kryeministri serb.

Ndër çështjet më të nxehta në këtë seancë, ka qenë diskutimi rreth kërkesës së Rusisë për dërgimin e një delegacioni informues në Kosovë, siç thuhet, për të parë situatën në Kosovë, kërkesë kjo që qëllim më vete ka zvarritjen sa më të gjatë të zgjidhjes së statusit të Kosovës dhe të nxjerrjes së një rezolute të re për Kosovën sipas propozimit dhe dokumentit të z. Ahtisaarit, të cilin tashmë e ka në duar të veta Këshilli i Sigurimit. Një gjë të tillë, e ka konfirmuar edhe ambasadori frëng, De la Sabunje për çka tha se “kjo është një iniciativë që nuk do të zgjas shumë” dhe, sipas tij, “bëhet fjalë për disa ditë”.

Ryker flet në vend të Sejdiut

Pas disa orë bisedimesh dhe konsultimesh, ambasadorët kanë vendosur, në bazë të kërkesës kategorike të Koshtunicës, që presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu të mos flasë përpara vendeve anëtare të KS-së, por në vendin e tij për Kosovën të flasë kryeadministratori, Joakim Ryker. Ky i fundit arriti në Nju Jork për këtë çështje. Ndërsa për Serbinë, ashtu siç dihej, foli kryeministri Koshtunica. Shefi i qeverisë serbe ka folur menjëherë pas shpjegimeve të Martti Ahtisaarit për planin e statusit. Ajo e cila nuk lejoi që presidenti Sejdiu të flet zyrtarisht edhe në sallën e KS-së, ishte Rusia, kjo pasi, siç tha ambasadori rus, Vitali Çurkin “për të mos vendosur përfaqësuesin e një shteti pranë atij të një province”.

Mustafaj: Me rëndësi është që Ban Ki Moon mbështet pavarësinë

Të hënën, në Nju Jork ka qëndruar edhe ministri i Jashtëm shqiptar, Besnik Mustafaj, i cili ka pasur takim me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon. Mustafaj vlerësoi se është shumë e rëndësishme qe Moon mbështet rekomandimet e presidentit Ahtisaari, pasi kjo tregon që ai mbështet pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës, e cila është e shprehur në atë propozim

“Ju e dini se në rekomandimet e tij thuhet se një pavarësi e mbikëqyrur është opsioni më i qëndrueshëm për të ardhmen e Kosovës. Për mua kjo ka shume rëndësi sepse faktori kryesor ndërkombëtar, siç është Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara mbështet pavarësinë e Kosovës”, tha Ministri i Jashtëm shqiptar, Besnik Mustafaj

Seanca e së hënës ka nisur debatin rreth planit të Ahtisaarit për pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës.

Gjithashtu, nga kjo seancë, pritet që të sqarohet kërkesa e Rusisë për ta dërguar një delegacion në Kosovë dhe Serbi, i cili do ta vlerësojë situatën.

Seanca e 3 prillit në KS të OKB-së, konsiderohet ndër ngjarjet më të rëndësishmet për Kosovën, qysh nga përfundimi i luftës në vitin 1999, pasi pikërisht me këtë datë, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së filloi diskutimi rreth pavarësisë së Kosovës. | Besnik RAMADANAJ, Iliria Post
Shtuar më 04/04/2007, ora 10:00
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori