Zaev merr mandatin për formimin e qeverisë së re
Presidenti i Maqedonisë, Stevo Pendarovski i ka dorëzuar pak minuta më parë mandatin kreut të LSDM-së, Zoran Zaev për formimin e qeverisë së re.

Sipas Kushtetutës, kreu i LSDM-së brenda 20 ditëve duhet të sigurojë shumicë parlamentare prej 61 deputetëve për formimin e qeverisë së re.

“Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, nesër më 13 gusht në orën 12:00, do t’ia dorëzojë mandatin kryetarit të LSDM-së dhe deputetit Zoran Zaev për formimin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Zoran Zaev, në emër të koalicionit ‘Mundemi’, i cili ka fituar numër më të madh të mandateve në Kuvend, e ka informuar presidentin Pendarovski për bisedimet me më shumë parti për sigurimin e shumicës së nevojshme në Kuvend për zgjedhje të Qeverisë”, theksohej në komunikatën e lëshuar nga kabineti i presidentit Pendarovski.

Ky veprim i kreut të shtetit vjen pikërisht në ditën kur skadon afati 10 ditësh për ndarjen e mandatit, pas konstituimit të Kuvendit më 4 gusht, pavarësisht pretendimeve të ish kryeparlamentarit Talat Xhaferi, i cili insiston se Kuvendi nuk mund të quhet i konstituuar, derisa nuk ka kryeparlamentar të zgjedhur, dhe se në këtë rast mandati nuk mund të ndahet.

Sipas tij, një gjë e tillë do të rrezikonte futjen në krizë kushtetuese-institucionale, pasi sipas tij, në mungesë të kryeparlamentarit, presidenti i shtetit nuk ka kënd ta informojë.

Megjithatë njohës të çështjeve juridike dhe kushtetuese, por edhe nga kabineti i presidentit kanë theksuar se nuk ka asnjë shkelje dhe se procedura është e rregullt. /INA
Shtuar më 13/08/2020, ora 12:39

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori