Xhixho: Të rinjtë potenciali më i madh për procesin e integrimit
Pëlqej
Zv. Ministrja e Integrimit Evropian, znj. Erisa Xhixho mori pjesë në konferencën e organizuar në kuadër të hartimit të Planit Kombëtar të Veprimit për Rininë. Znj. Xhixho shprehu gatishmërinë dhe mbështetjen maksimale të Ministrisë së Integrimit Evropian, për të kontribuar në planin që po hartohet, duke e konsideruar si shumë të rëndësishëm për procesin e integrimit të vendit.

“Ne jemi të gatshëm të japim kontributin tonë dhe të bashkëpunojmë me të gjithë aktorët për këtë Plan Veprimi, i cili ka në fokus të rinjtë, të cilët potenciali më i madh që kemi për procesin e integrimit”, tha Zv. ministrja.

Duke i konsideruar të rinjtë një taret grup shumë të rëndësishëm, Zv ministrja Xhixho nënvizoi së Ministria e Integrimit Evropian, është e angazhuar të rrisë edhe më tej vëmendjen ndaj tyre, duke ofruar praktika pune pranë Ministrisë së Integrimit Evropian, informacion dhe nxitur përfshirjen sa më të lartë të të rinjve në procesin e integrimit evropian.

“Gjithashtu e shohim me mjaft vlerë bashkëpunimin intensiv me shoqërinë civile dhe Ministrinë e Arsimit dhe të gjitha ministritë e linjës, në mënyrë që procesi i integrimit të njihet sa më mirë, madje edhe duke zgjeruar gamën e koncepteve të Bashkimit Evropian që futen në kurrikulat e nxënësve”, u shpreh Zv. Ministrja gjatë konferencës. Znj. Xhixho shtoi gjithashtu se është i domosdoshëm të nxitet më tej vullnetarizmi mes të rinjve në mënyrë që ata të ofrojnë kontributin e tyre në lidhje me procesin e integrimit.

Ministria e Mirëqenies Sociale në bashkëpunim ministritë e linjës dhe me disa nga organizatat e shoqërisë civile, pjesë e rrjetit te The Olof Palme Center Albania, është duke përgatitur “Planin Kombëtar të Veprimit për Rininë ” 2014 – 2020. Ky plan kombëtar do të përfshijë objektivat e Programit të Qeverisë Shqiptare në lidhje me rininë dhe masat konkrete të cilat Ministritë përgjegjëse do të ndërmarrin për realizimin e tyre.

Plani Kombëtar do të ketë si qëllim zhvillimin dhe koordinimin e politikave ndërsektoriale rinore në edukim, punësim, shëndetësi, kulturë si dhe rritjen e pjesëmarrjes së plotë të të rinjve në shoqëri dhe vendimmarrje. /albeu.com/
Shtuar më 19/09/2014, ora 14:45
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori