Xhindi: Qeveria po bllokon zbatimin e projekteve të bashkisë
Pëlqej
Në Lubjanë të Sllovenisë u mbajt konferenca “Future of cities award 2014”, ku ishin të ftuar përfaqësues në nivelin kryetar/zv.kryetar të bashkive të vendeve të ndryshme të Europës. Bashkia e Tiranës u përfaqësua me zv.kryetaren Nevila Xhindi. Konferenca u zhvillua më 25 shtator në një tryezë të rrumbullakët, ku diskutimi kishte në qendër identifikimin, nxitjen dhe vlerësimin e projekteve të reja në fushën e zhvillimit të qyteteve, si transport, strehim, energji dhe u drejtua nga një moderator i cili prezantoi çdo përfaqësues vendi me projektet e tyre. Bashkia e Tiranës, e kryesuar nga nënkryetarja Xhindi prezantoi projektet më kryesore strategjike të Tiranës, si: 1. Bulevardi verior i Tiranës dhe projekti i lumit 2. Projekti i terminalit, transport publik 3. Projekti i sistemit hekurudhor, tram 4. Projekti i ndriçimit, Tiranë 5. Tekno - parku, Tiranë 6. Projekti i efiçencës energjitike Xhindi, duke prezantuar secilin prej projekteve deklaroi se projektet e Bashkisë së Tiranës kontribuojnë për Tiranën moderne dhe europiane, si pjesë në strategjinë Europa 2020, në drejtim të promovimit të rritjes së qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, kontribuojnë në zhvillimin e vendeve të reja të punës, në zhvillimin e zonës urbane, shkallën e progresit urban, ekonomik, teknologjik dhe social në Tiranë. Në diskutimin e saj Xhindi u ndal edhe në problematikat që kanë projektet në realizimin e tyre, duke shtuar se qeveria qendrore bllokon me çdo mënyrë zhvillimin e qytetit. “Aktualisht, me mbështetjen e autoriteteve franceze me vlerën prej 719,000 euro u financua dhe përfundoi “Studimi i Fizibilitetit të sistemit të tramvajit në Tiranë për linjën 2”, Lindje-Perëndim (Kinostudio - Kombinat).

Bashkia e Tiranës po punon për të siguruar burimet financiare për të zbatuar këtë projekt. Është e rëndësishme për këtë lloj projekti mbështetja dhe garancia e qeverisë qendrore”, u shpreh Xhindi. Lubjana - Forum është një mbledhje vjetore që bën të mundur shkëmbimin, njohuritë dhe ksperiencën e qeverisjes vendore dhe përcakton zonat kyçe, vizionet dhe strategjitë për zhvillimin e qyteteve në të ardhmen. Objektivi i forumit të Lubjanës është të ofrojë një strukturë për bashkëpunim mes palëve të ndryshme të interesuara, domethënë politikëbërësit, administrata vendore, investitorët dhe bankat, bizneset, shoqëria civile, hulumtuesit, akademikët dhe studentët të cilët krijojnë të ardhmen e qyteteve, nëpërmjet hulumtimit, zhvillimit dhe implementimit të praktikave më të mira të zhvillimit urban. /albeu.com/
Shtuar më 29/09/2014, ora 13:01
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori