Xhaferi: Aksioni policor ndërlidhet me statusin e Kosovës
Albeu.com
Protesta kundër aksionit policor në Kondovë. Për kreun e PDSH-së vrasja ka qenë e paramenduar nga strukturat që veprojnë jashtë qeverisë për ta në dëm të Kosovës.Banorët e Kondovës së Shkupit, të shtunën, nëpërmjet protestës e kanë shprehur revoltën e tyre ndaj aksionit policor, që ndodhi para disa ditësh. Protestës i ka paraprirë një takim i kreut të PDSH-së, Arbën Xhaferi dhe zëvendësit të tij Menduh Thaçi, me udhëheqësit vendorë të Kondovës. Këta të fundit kanë kërkuar nga lidershipi i PDSH-së, që të përpiqet për ta qetësuar gjendjen e krijuar, pasi që sipas tyre, ky rast do të mund të merr përmasa më të zgjeruara.
“Jemi mbledhur për të shprehur indinjatën dhe mllefin tonë kundër ekzekutimit të vëllait tonë Enver Xhaferit, plagosjes së Fatmir Lurit dhe arrestimit të Sokol Gegës, nga ana e eskadronëve të vdekjes të policisë maqedonase. Vrasja e qytetarit civil, në gjumë nga policia, është një gjenocid i formës më brutale”, tha Bekim Fazliu, këshilltar nga Kondova në komunën e Sarajit. Arbën Xhaferi vrasjen e konsideroi si “të paramenduar dhe akt kriminal të policisë së Maqedonisë”.
“Sipas analizave, kjo vrasje mendojmë se është e qëllimit dhe në funksion të krijimit të një situate të ndjerë, veçmas në kohën kur duhet të fillojnë bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës”, tha Xhaferi, duke shtuar se në Maqedoni ekzistojnë segmente të pushtetit, të cilat nuk kontrollohen nga vetë qeveria dhe përpiqen të krijojnë situata, ku shqiptarët do të komprometoheshin nga aspekti politik.
Xhaferi ka lutur të pranishmit që të përmbahen, për të mos nisur proces të ri të destabilizimit, duke bërë thirrje që aktorët e këtij krimi të dalin para gjyqësisë. Ai tha se pas kësaj aventure, vërehet një qëllim i keq për të destabilizuar gjendjen në Maqedoni.
“Vlerësoj se Buçkovski nuk ka kontroll të plotë në qeverinë e tij, sepse në Maqedoni ka segmente të pushtetit të cilat duan sërish të vlojë urrejtja. Këta situata analizohen nga pasojat, qëllimet nuk ishin të mira, pasojat edhe aq më të këqija”, tha Xhaferi. Në pyetjen se pas mbarimit të krizës së Kondovës MPB-ja ishte prononcuar se armatimi është tërhequr për në Kosovë, prej ku erdhi sërish armatimi, Xhaferi ka thënë shkurt:
“prej kokës së policisë”. Kreu i PDSH-së është shprehur se këto incidente nuk kanë të bëjnë me zgjedhjet e ardhshme parlamentare, por thjeshtë bëhet fjalë për situatën momentale dhe bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës.

Matoshi e akuzon, Buxhaku i ofron debat

Shkup, 5 dhjetor - Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Rruzhdi Matoshi ka nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) të ketë kujdes në kualifikimet që japin për rininë shqiptare, veçmas për Enver Xhaferi, i vrarë në aksionin policor në Kondovë. “Përfaqësues të BDI-së, sidomos Agron Buxhaku, duhet të kenë kujdes në deklaratat e tyre dhe etiketimet që ia bëjnë rinisë shqiptare. Le të pyes se sa i ka dhënë këtij kombi familja Xhaferi. Le t’i pyes “eprorët e tij” a e njeh Muzafer Xhaferin, dëshmorin e parë të rënë në Tanushë”, tha Matoshi, duke shtuar se “Verushevski junior terrorizon një Maqedoni dhe askush nuk guxon ta shoh as në sy”. Ndërkaq, zyrtari i lartë i BDI-së Agron Buxhaku nuk pranon akuzat e Matoshit. “Ne nuk bëjmë kualifikime, ne kemi thënë se Xhaferi është njeri që ndiqet për vepra penale dhe jo kriminel”, tha Buxhaku, i cili ka shtuar se me Matoshin është i gatshëm të ballafaqohet në një emision debativ. Buxhaku tha se është duke e pritur Matoshit që ta caktojë mediumin ku do të ballafaqohen së bashku.
nga Qashif Bakiu, Lajm
Shtuar më 07/03/2006, ora 10:19
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori