Xhafa: Vettingu është zemra e reformës, dështim i kulisave që s’duan reformën
Vendimin e sotëm të Kushtetueses, e cila rrëzoi PD-në për bllokimin e ligjit të Vettingut, deputeti Fatmir Xhafaj e ka cilësuar si një lajm shumë të mirë për Reformën në Drejtësi.

Në një prononcim për “Ora News”, kreu i komisionit të reformës tha se “ky është një lajm i mirë për reformën, për reformimin e sistemit, u hoq një pengesë nga procesi i reformës, për shkak se ishte një nga betejat e radhës, tani është hapur rruga për të vazhduar me Vettingun”.

Sipas tij, kjo është fitore e të gjitha atyre që kanë realizuar dhe mbështetur fuqimisht këtë proces, ligjin e Vettingut dhe dështim i atyre që e kundërshtuan këtë proces.

Atyre që kanë bërë përpjekje mbi e nën tavolinë, lloj-lloj kulisash për ta frenuar, është dështim i merituar se reforma është e pandalshme dhe Vettingu është zemra e reformës. E di që do ketë pengesa të tjera se këto grupe njerëzish që ndajnë qëllime të ndryshme nga ne në këtë proces nuk do reshtin së penguari”, tha ai. /albeu.com/
Shtuar më 22/12/2016, ora 14:35
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori