Wither kritikon qeverine shqiptare
Albeu.com
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Withers nuk ka kursyer akuzat ndaj qeverisë dhe parlamentit shqiptar, lidhur me komisionin hetimor të menduar për hetim të Prokurorisë së Përgjithshme. Pjesëmarrës në seminarin e trajnimit të prokurorëve të rinj, Withers shprehu konsideratën e tij lidhur me rolin e Prokurores së përgjithshme, Ina Rama. Sipas tij, zonja Rama do të hyjë në historinë e gjyqësorit shqiptar, si një faktor i rëndësishëm që ka ndikuar në uljen e krimit të organizuar, korrupsionit dhe të gjithë atyre fenomeneve që shqetësojnë popullin shqiptar.


Withers: Hetimi ndaj Ina Ramës, si ai i Theodhori Sollakut

Sipas tij, qeveria dhe parlamenti, me veprimet e tyre po rikthejnë tetorin e para një viti, ku në momentin e tij të ardhjes në Shqipëri po hetohej ish Prokurori i Përgjithshëm, Theodhori Sollaku. “Siç e dini, parlamenti po shqyrton hapjen e një komisioni hetimor për punën e Prokurorisë së Përgjithshme. Qeveria nga ana tjetër ka bërë thirrje edhe ajo për një lloj inspektimi ndërkombëtar, që në këtë fushë mua më duket e çuditshme. Të gjitha këto i konsideroj shqetësuese. Tetorin e fundit, pak pasi erdha në Shqipëri, parlamenti hapi një hetim për ish Prokurorin e Përgjithshëm. Në dukje, zhvillimet e fundit duket sikur kanë të njëjtin qëllim si ai i një viti më parë. Po, parlamenti ka të drejtë të ngrejë komisione hetimore, por kjo a duhet të ndodhë çdo tetor? Unë nuk shoh asgjë të nevojshme që qeveria dhe parlamenti të marrin nisma të tilla. Unë i bëj thirrje si qeverisë dhe parlamentit të rimendojë këto lëvizje që ndërhyjnë në pavarësinë e prokurorisë dhe gjyqësorit. Këshilla ime dhe SHBA-ve është që të lejohet prokuroria të bëjë detyrën e saj si aktorë të pavarur që janë”, tha ai.


Withers: Ina Rama, si Silvia Konti

Shefi i diplomacisë amerikane në Tiranë, Withers, krahasoi zonjën Rama me personazhen e njohur të filmave, Silvia Konti e cila pavarësisht presioneve të ndryshme, ishte e vendosur në punën e saj për të luftuar krimin dhe trafiqet e ndryshme. Ndryshimi midis tyre, tha ai, është se Silvia Konti luante një rol të përgatitur nga regjisori, kurse zonja Rama përballet me realitetin e
Shqipërisë.

“Përgjegjësitë e saj janë që jo vetëm të hetojë disa prej çështjeve më të debatueshme, por detyra e saj është në një kuptim më të thellë, është që të jap një kontribut thelbësor për ruajtjen e pavarësisë së Prokurorisë për ta mbrojtur nga sulmet e ndryshme politike”, tha Withers.

Duke ju drejtuar prokurorëve të rinj vendas dhe amerikanë, ai u shpreh se pavarësisht pengesave që mund të hasin në rrugën e tyre, “ylli polar” që do të ndriçoj rrugën e tyre duhet të jetë vetëm ligji dhe asnjë ndikim tjetër.

Nga ana e saj, zonja Rama falënderoi ambasadorin amerikan për mbështetjen që i ka dhënë prokurorisë së përgjithshme. (start)
Shtuar më 16/10/2008, ora 18:27
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori