Wisner: SHBA përkrah Kosovës
Albeu.com
Dy personalitete amerikane, ambasadori Frank Wisner dhe kongresmeni Eliot Engel, kanë deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ti qëndrojnë vazhdimisht në krah Kosovës. Ata i bënë këto komente në një darkë të shtruar për nder të tyre nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, një organizatë me zyre në New York dhe në Washington.

Ambasadori Wisner tha se, beson se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të kenë një përgjegjësi të posaçme për fatin e këtij vendi të ri. “SHBA duhet de do të vazhdojnë t'i qëndrojnë në krah Kosovës dhe shqiptarëve kudo në Ballkan. Zgjedhjet tona presidenciale nuk do ta ndryshojnë asnjë grimë përkushtimin tonë, i cili është i thellë dhe në interesin tonë kombëtar", tha diplomati amerikan, duke shtuar se “SHBA-të nuk do të jenë dakord me ndarjen e Kosovës”.

Kongresmeni nga New Yorku, Eliot Engel, një tjetër figurë e rëndësishme që luajti rol në sensibilizimin e Kongresit dhe të administratave të ndryshme amerikane për Kosovën, nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC), u nderua me "Çmimin për arritje jetësore".

Engel me këtë rast theksoi se “për amerikanët nuk ka miq më të mirë në të gjithë botën se sa shqiptarët”. Ai tha se Kosovës i mbetet shumë për të bërë, por premtoi se ai do të vazhdojë të punojë për të ndihmuar në njohjen ndërkombëtare të Kosovës dhe aspekte të tjera.

Ndërkaq Avni Mustafaj, drejtor ekzekutiv i NAAC-ut, ka vlerësuar me këtë rast se rruga e Kosovës për në strukturat ndërkombëtare vjen nga Washingtoni. “E rëndësishme sot është të ndërtohet Kosova: infrastruktura, rrugët, shkollat dhe spitalet. Ne kemi nevojë të zhvillojmë gjithë atë talent që është sot në Kosovë dhe të mos kenë nevojë këta njerëz të largohen nga Kosova. Nuk ka përse Kosova të mos bëhet shtet modern dhe të pranohet një ditë në NATO dhe ne BE. Megjithatë ne e dimë se rruga e Kosovës për në strukturat ndërkombëtare vjen nga Washingtoni”, tha Mustafaj. (voa-albeu)
Shtuar më 21/09/2008, ora 19:34
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori