Wikileaks: Berisha shmangu përgjegjësinë për Gërdecin
Shpërthimi në Gërdec
Kobllogramet e publikuara të shtunën nga Wikileaks, përfshijnë edhe një raport lidhur me tragjedinë e Gërdecit, ku thuhet se qeveria shqiptare po llogarit shmangien e përgjegjësisë.

Në kabllogramin e dërguar nga Tirana më 7 prill 2008, theksohet se, "pavarësisht nga përgjigja e shpejtë e qeverisë dhe dorëheqja e ministrit të Mbrojtjes, Mediu, media vazhdon të furnizojë në mënyrë frenetike informacione për Gërdecin, ndërsa opozita thekson se Berisha ende nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë.

"Pas tragjedisë së Gërdecit, qeveria u përqendrua menjëherë në përgjigjen e shpejtë për të mbijetuarit për të hequr vëmendjen nga çështja e fajësisë.
Politikisht, kryeministri e sakrifikoi ministrin Mediu brenda 48 orësh që prej shpërthimit, por ka refuzuar të bëjë ndryshime të nivelit të lartë në qeveri, përveç zëvendësimit të Mediut me zëvendëskryeministrin Oketa, para samitit të NATO-s".
Në raport më tej thuhet se "përpjekjet, edhe pse të shpejta, nuk kanë qenë në përputhje me masat e sigurisë” duke sqaruar se një ekip prej dhjetë anëtarësh i BE-së mbërriti pas një jave nga shpërthimi për të vlerësuar situatën dhe bëri rekomandime duke lajmëruar gjithashtu për rreziqet e shpërthimit të materialeve të tjera më vonë".

“Qeverisë i është thënë se është i pasigurt kthimi i banorëve në shtëpitë e tyre, ndërsa zyrtarët shqiptarë, për arsye tërësisht politike e kanë përshpejtuar kthimin duke kthyer edhe energjinë dhe furnizimin me ujë", thekson raporti.

"Ka një bindje të madhe në mes të medias, opinionbërësve dhe publikut të informuar se qeveria, pavarësisht nga deklaratat për hetim të plotë të Gërdecit, po përllogarit mundësitë për të shpëtuar nga përgjegjësitë e katastrofës së Gërdecit. Për këtë arsye, Berisha është në moment delikat".

Wikileaks zotëron më shumë se 8 mijë dokumente për Shqipërinë. /albeu.com/
Shtuar më 28/08/2011, ora 12:29

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori