WikiLeaks: Berisha pa influencë në rajon, Rama lideri modern
Kryeministri Berisha nuk ka ndonjë rol në rajon dhe influenca e tij në lidershipin e Kosovës dhe Maqedonisë është e papërfillshme. Kështu thuhet në një dokument të publikuar nga i WikiLeaks, i cili rrjedh nga firma “Stratfor”.


“Kosova gjithmonë do të ketë nevojë për mbështetjen e Kryeministrit të Shqipërisë dhe qeverisë së saj por shumë kosovarë e kujtojnë Berishën si dikush që i dha mbështetje të vakët UÇK-së dhe besohet se ka përfituar personalisht duke lejuar kalimin e anijeve me karburant në Serbi dhe Mal të Zi pavarësisht embargos së NATO-s”, thuhet në dokument.

Më tej thuhet se Berisha shihet ende si person i lidhur me Serbinë, ndërsa lidhjet e tij me Maqedoni dhe Malin e Zi i ka të limituara, shkruan Shekulli.

Lidhur me mundësinë e ardhjes në pushtet të Edi Ramës dhe çfarë parashikohet të ndodhe pas kësaj, dokumenti thotë se kreu i PS-së shihet si lideri modern i Shqipërisë.

Rama njihet si udhëheqës i fortë dhe deri diku përkufizohet si figurë radikale në Shqipëri. Ai nuk është shumë i mirë për dialog – shpesh krijon situatë ku asnjë palë nuk mund të fitojë. Pavarësisht kësaj dobësie, Rama paraqet liderin modern që shumë shqiptarët kanë pritur pas 1990-s”, thuhet në dokument. Popullariteti dhe pikëpamjet moderne të Ramës janë komentuar si favorues nga shumë lider dhe përfaqësues të BE-së, thuhet më tej.

Dokumenti sekret mban datën 26 janar 2011 dhe është një përgjigje mbi situatën e krijuar nga protesta e “21 Janarit”. Raportuesi i “Stratfor”, Marko Papic siguron se protesta në Tiranë nuk do të përhapë tension në vendet e rajonit. /albeu.com/
Shtuar më 21/02/2013, ora 11:28
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori