Washingtoni kerkon suprimimin e Rezolutes 1244
Albeu.com
Washingtoni dhe Brukseli po përgatisin skenarë të ndryshëm të zgjidhjes së marrëdhënieve të Beogradit dhe Prishtinës një ditë pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë të shprehë mendimin për pavarësinë e Kosovës, shkruan sot gazeta Koha.Dhe ndërsa plani i Bashkimit Evropian është i padefinuar, i drejtuar para së gjithash mbi presionin ndaj Serbisë që të fillojë bashkëpunimin praktik me autoritetet e Kosovës, dhe për të do të diskutohet në takimin ministerial më 10 maj, Washingtoni tashmë dy muaj po përgatit planin që nga Beogradi, si zëvendësim për qasje më të shpejtë në BE dhe fondet e tij, të kërkojë pëlqimin për suprimimin e Rezolutës 1244 dhe për forcimin e pavarësisë së Kosovës.
Politikën e re të Departamentit amerikan të Shtetit, siç pohon e përditshmja e Beogradit "Blic", që e transmeton QIK-u, e ka "zbuluar" Obrad Kesiq, një analist i informuar mirë serbo-amerikan nga agjencia amerikane "TSM Global" nga Uashingtoni. Kesiq pohon se plani ka dritën e gjelbër të Shtëpisë së Bardhë, e cila nuk merret direkt me Ballkanin, si dhe që administrata e Uashingtonit pret që Beogradi të japë pëlqimin për suprimimin e Rezolutës 1244 menjeherë pas paraqitjes së mendimit të gjykatës. "Në rezolutën e re të OKB, për të cilën angazhohet Washingtoni, do të futej një pjesë e mendimit të GJND në të cilin rezoluta do të mbështetej dhe ajo do të ishte çelës për forcimin e pavarësisë së Kosovës. Dallimi i madh do të ishte kufizimi i mandatit të saj, sepse ndryshe nga Rezoluta 1244 e cila automatikisht vazhdohet dhe mund të suprimohet vetëm me vota në KB, rezoluta e re do të vazhdohej vetëm nëse për të votohet, pra, pikërisht e kundërta", ka sqaruar Kesiq planin të cilin në Uashington po e hartojnë tashmë pothuajse dy muaj.
Po sipas kësaj gazete, negociatat teknike, joformale të Beogradit dhe Prishtinës tashmë kanë filluar. Në dy muajt e fundit janë zhvilluar disa takime joformale ndërmjet përfaqësuesve të Beogradit dhe Prishtinës në të cilat kanë marrë pjesë përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë, MPB dhe kabinetit të presidentit Boris Tadiq, mëson gazeta nga burime diplomatike në Washington. Bëhet fjalë për çështje teknike në nivel të bashkëpunimit operativ, me synimin që midis autoriteteve të krijohet rrjeti i kontakteve dhe kanaleve që do të funksiononin në rast të shpërthimit të krizës. Në Washington këto bisedime janë vlerësuar shumë pozitive, dhe siç thotë Kesiq, janë ngjallur shpresa që pas vendimit të GJND, të krijohet atmosfera për të nisur negociatat për tema të mëdha siç është tregtia, dogana dhe dokumentet e qytetarëve.
Shtuar më 05/05/2010, ora 11:45
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori