Warlick: Per SHBA-ne ceshtja e statusit te Kosoves ka perfunduar
Albeu.com
Ambasadorja e re SHBA në Beograd, Mary Burce Warlick ka përsëritur se Washingtoni e Beogradi “janë pajtuar se nuk pajtohen për Kosovën”, por ka theksuar se kjo nuk do të thotë se me zyrtarët serbë nuk do të bisedojë mbi shumë çështje të tjera, për të cilat ekziston interesi i përbashkët.
Në një intervistë për agjencinë e lajmeve Beta të Beogradit, ajo ka thënë se “Për SHBA-në çështja e statusit të Kosovës ka përfunduar, por Amerika beson fuqishëm se është në interesin e Serbisë që të zgjidhen çështjet që kanë të bëjnë me cilësinë e jetës, të sundimit të ligjit, sistemin gjyqësor për të gjithë qytetarët në gjithë Kosovën. Këtu mund të bashkëpunojmë”.
Ajo po ashtu ka thënë se Serbia i ka dyert e hapura për anëtarësim në NATO, por ky është një vendim që ajo duhet ta marrë vetë, i ka thënë agjencisë së lajmeve Beta, ambasadorja e re e SHBA në Beograd, Mary Burce Warlick.
Kësaj agjencie ajo i ka thënë se “SHBA mbështesin plotësisht aspiratat evropiane dhe euroatlantike të Serbisë dhe se po bëjnë gjithë ç’munden që të ndihmojnë përpjekjet në atë drejtim”.
SHBA mbështesin fuqishëm hapat pozitivë në procesin e integrimit evropian të Serbisë që kanë ndodhur nga fundi i vitit të kaluar, duke përfshirë edhe heqjen e vizave shenjen.
Pyetjes nëse anëtarësimi në NATO do të ishte e dobishme për procesin e integrimeve evropiane të Serbisë, Warlick ka nënvizuar se ky është vendim të cilin duhet ta marrë vetë Serbia.
“Mendoj se ka rëndësi që të jemi të qartë se dyert e anëtarësimit të Serbisë në NATO janë të hapura, kurse Serbia duhet vetë të vendosë për këtë”, është shprehur ajo.
Warlick e ka marrë detyrën e ambasadores amerikane në Beograd në fund të janarit të sivjetshëm.
Shtuar më 05/02/2010, ora 20:58
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori