"Vritet" LSI-ja, Rama ikën në janar: Marrëveshja e madhe që po flitet korridoreve të politikës
Dalja e opozitës nga sistemi dhe protestat e vazhdueshme të tyre e kanë çuar vendin në një situatë të paprecedent, e cila kërkon edhe një zgjidhje të paprecedent për të rikthyer vendin në shinat e normalitetit.

Ndërkohë që Rama përpiqet i sigurt se nuk ka ndërmend të ulet me Bashën në një "krokodil" të dytë nga ana e tij ka filluar një tërheqje (lexo KËTU), ndërsa nga demokratët ka patur vullnet për t'u ulur në tavolinë për të diskutuar "Shqipërinë pa Ramën kryeministër".

Mbetet për t'u parë se sa do ta mbajnë presionin Rama dhe Basha për të qendruar në llogoret e tyre të deritanishme, megjithatë në korridoret e politikës, aty ku pasqyrohen fillimisht lëvizjet e ardhshme është përvijëzuar një marrëveshje afatgjatë Rama-Basha, e cila vjen si një rigjallërim me pika dhe synime të reja të asaj qe folën mëngjesin e 18 majit 2018.

Kështu, pritet që zgjedhjet lokale të shtyhen duke mos u zhvilluar në qeshor, por në vjeshtën e këtij viti ku do të marrë pjesë edhe opozita.

Por pika tjetër më e rendësishme e kësaj marrëveshjeje është fakti se Rama do të heqë dorë nga drejtimi i qeverisë nga 1 janari 2020, ndërsa vendin do të vijojë ta udhëheqë një kabinet socialist me afat 1 vjeçar, i cili do të përgatisë vendin për zgjedhjet e përgjithshme si edhe do të ketë mbështetjen e demokratëve për proceset integruese të vendit.

Gjatë kësaj periudhë, PD-PS do të punojnë për një Kod Zgjedhor të ri, i cili do të pasqyrojë problematikat e paraqitura vazhdimisht nga demokratët.

Ndërkohë, gjatë kësaj periudhe do të synohet zbehja e rolit të LSI-së, një qëllim i kahershëm ky i dy partive të mëdha, gjë e cila do të tentohet të vuloset gjithashtu përmes ndryshimeve që do të bëhen në Kodin Zgjedhor.

Në fund të marrëveshjes, me parimin se "zgjedhjet humben nga maxhoranca dhe nuk fitohen nga opozita", Lulzim Basha do të përgatitet për t'u bërë kryeministër në vitin 2021 me Ramën që ka filluar tashmë transferimin e partisë tek Erion Veliaj, me garancitë dypalëshe të tipit "mos më prek, nuk të prek".

I gjithë ky është një operacion që synohet të realizohet, por janë mjaft faktorë të tjerë të cilët mund të ndikojnë siç është reagimi i LSI-së, por edhe roli i Berishës në PD dhe leja e tij ndaj Lulzim Bashës për të hyrë në raporte të tilla me Ramën. /albeu.com/


Shtuar më 25/03/2019, ora 22:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori