Vret veten pasi s’paguante dot energjinë, 31-vjeçari: Ku kam mundësi unë të paguaj kaq para? Veç të vras veten..
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e të hënës në Kamëz ku një i ri 31-vjeçar i ka dhënë fund jetën duke u vetëvarur për shkak se nuk kishte mundësi të paguante faturat e kripura të energjisë.

Nga burimet zyrtare të policisë mësohet se viktima është Klajdi Muça, i cili kishte dalë nga burgu vetëm prej pak ditësh, pasi përfitoi nga amnistia. Fatura që i duhej të paguante, në mënyrë që OSHEE-ja të mos i priste dritat, ishte 80 mijë lekë të rinj.

Para që ai e kishte të pamundur t’i gjente, për shkak të kushteve të vështira ekonomike. Ngjarja ndodhi të hënën në banesën e viktimës, në rrugën “Jehona”, në Kamzë të Tiranës.

I riu u gjet i varur në një pemë në oborrin e shtëpisë nga i vëllai, i cili menjëherë lajmëroi policinë.

Në vendngjarje shkuan menjëherë shërbimet e Komisariatit nr.5, që konstatuan vetëvrasjen e 31-vjeçarit, baba i një fëmije të mitur. Trupi i tij u dërgua në Mjekësinë Ligjore ku iu nënshtrua ekzaminimeve, ndërsa policia nisi menjëherë hetimet për të zbardhur shkaqet e vetëvrasjes.

Burimet thanë se familjarët kanë pretenduar se ngjarja ka ndodhur për shkak të problemeve të shumta ekonomike, pasi viktima ishte edhe i papunë dhe gjatë kohës që ishte në burg i ishin mbledhur shumë borxhe.

Nga ana tjetër, ata kanë treguar edhe një debat që ai kishte bërë në zyrën e OSHEE-së që ndodhet përballë Bashkisë Kamzës, pasi kishte mësuar shumën që i duhej të paguante për dritat. Në momentin që ai ka debatuar me arkëtaren, aty ka pasur dhjetëra dëshmitarë që prisnin në radhë për të paguar dritat, shkruan Panorama.

Deshmitarët

“Ku kam mundësi unë të paguaj kaq para? Veç të vras veten…” Këto kanë qenë fjalët e fundit të 31-vjeçarit Klajdi Muça, në zyrën e OSHEE-së në Kamzë, që janë dëgjuar nga dhjetëra dëshmitarë mesditën e së hënës.

Menjëherë pasi ka debatuar aty, Muça është larguar duke përplasur derën dhe ka shkuar në shtëpinë e tij, që ndodhet në një rrugicë përballë Bashkisë së Kamzës, pak metra larg zyrës së OSHEE-së. Atë që kishte thënë në nerva e sipër, 31- vjeçari e ka bërë realitet me të mbërritur në shtëpi, duke lidhur një litar në një prej pemëve në oborrin e banesës dhe më pas është vetëvarur.
“Ai mund të ketë pasur edhe 100 halle të tjera, sepse e njoh dhe ia di vështirësitë, por unë isha aty kur debatoi me arkëtaren. Ishin shumë para për t’u paguar.

80 mijë lekë për një faturë janë shumë edhe për ata që kanë rrogë, jo për atë që ishte i papunë dhe me një fëmijë të vogël për të rritur. Iu mblodhën të gjitha hallet bashkë dhe vrau veten”, u shpreh një nga dëshmitarët që po priste në radhë në zyrën e OSHEE-së për të paguar dritat.

Ndërsa një tjetër dëshmitar, që është edhe fqinj i viktimës, tha se sapo mori vesh për vetëvrasjen e kuptoi se motivi ishte ai, për të cilin debatoi në zyrat e Operatorit të Shpërndarjes.
“Sapo mora vesh që Klajdi kishte vrarë veten, e kuptova pse e kishte bërë. Ai e tha në sy të të gjithëve që do vriste veten. Madje, edhe arkëtarja i tha: ‘Nuk kam çfarë të bëj, vrit veten…'”, tregon dëshmitari.

Familjaret

Të gjendur të papërgatitur përballë asaj që u ka ndodhur, familjarët e Klajdi Muçës thanë se nuk ishin gati të komentonin atë që ka ndodhur. Megjithatë pranuan se ai kishte shumë probleme ekonomike dhe sociale dhe, sipas tyre, ato janë bërë shkak për vetëvrasjen. Të njëjtat arsye u kanë thënë edhe oficerëve të policisë që kanë nisur hetimet për ngjarjen./albeu.com/

Shtuar më 25/01/2017, ora 11:14

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori