Vrau shokun e ngushtë, shqiptari i shpëton dëbimit nga Britania falë gjykatëses
Një vrasës skizofren paranojak i ka shpëtuar dëbimit në Shqipëri pasi një gjykatës vendosi që ai mund të ‘dëmtojë të tjerët’ në vendlindje.

Astrit Mija vrau shokun e ngushtë në 2003 dhe ka kaluar 17 vitet e kaluara në burg.

Ai u burgos për gjithë jetën pasi u gjet fajtor për vrasje pas sulmit ndaj Arben Bashës në shtëpinë e tyre në Ipswich, me minimumi 17 vite burgim.

Krimi ndodhi katër vjet pasi mbërriti në Britani dhe pretendoi në mënyrë të rreme se ishte refugjat kosovar.

Ai normalisht do të deportohej pasi të kishte përfunduar dënimin, por një gjykatës i imigracionit vendosi që pavarësisht kujdesit falas psikiatrik në spitalet shqiptare dhe vrasësi kishte një "motiv të fortë" për të marrë ilaçet, kjo do të shkelte të drejtat e tij të njeriut.

Gjykatësi Anna-Rose Landes cituar nga “Daily Mail”, tha se mungesa e mbështetjes familjare ndaj Mijas në Shqipëri do të thoshte se ai mund të luftonte për të marrë ilaçet që i duheshin, gjë që do ta bënte atë të vriste veten ose ‘të dëmtonte të tjerët’.

Një apel i Ministrisë së Brendshme kundër vendimit është refuzuar. Nuk ishte menjëherë e qartë nëse Mija, i cili besohej të ishte në burg gjatë apelimeve, mund të lirohej në Mbretërinë e Bashkuar.

Ministria e Brendshme vendosi në 2013 që ai të dëbohej pasi të vuante dënimin, por Mija ka përdorur vazhdimisht nenin 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut për të qëndruar.

Pretendimet e tij fillestare se nuk do të ishte në gjendje të merrte ilaçe nëse do të kthehej në Kosovë u refuzuan dhe një gjykatës vendosi që ai ishte me të vërtetë shqiptar, kështu që do të kthehej në vendlindje. Ai më pas pretendoi se ishte në rrezik nga familja e viktimës së tij, por kjo gjithashtu u refuzua.

Por autoritetet dhe psikiatrit shqiptarë thanë mbrëmë se Mija do të marrë trajtim falas në vend, edhe nëse ai ishte i pastrehë dhe nuk trajtohej në spital.

Zëdhënësja e Ministrisë së Shëndetësisë Etiola Kola tha: ‘Ilaçet për skizofreninë paranojake janë 100 për qind falas dhe paguhen nga qeveria edhe nëse personi është i papunë dhe nuk paguan për shërbimet e sigurimit shëndetësor. Ne e konsiderojmë skizofreninë paranojake si një sëmundje kritike dhe ilaçet kanë qenë falas për shumë vite.”
Shtuar më 23/12/2020, ora 21:04

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori