Vrau krushkun me çifte, policia zbulon motivet e krimit në Borsh
Një ngjarje e rëndë ndodhi dje në Borsh të Himarës ku pas një sherri mes dy familjesh ngeli i vrarë një 79 vjeçar. Viktima ishte shtetasi Hetem Brahimaj, 79 vjeç ndërsa autori Sokrat Xhuveli, 57 vjeç, u arrestua pak pas ngjarjes.

Mësohet se Brahimaj dhe Xhuveli kanë pasur një debat të ashpër mes tyre, ndërsa pas grindjes 57- vjeçari ka marrë një armë gjahu në banesën e tij dhe, pasi ka shkuar në shtëpinë e krushkut të tij, e ka qëlluar atë për vdekje.

Nga Policia bëhet e ditur se i moshuari ka marrë dy plagë në kokë dhe trup, që i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Autori i vrasjes u prangos pak pas ngjarjes dhe u dërgua në Komisariatin e Himarës, ku gjatë dëshmisë ka deklaruar se nuk ka dashur ta vrasë 79-vjeçarin.

Motivet e ngjarjes

Mbesa e autorit është e martuar me djalin e viktimës dhe policia po heton rreth faktit nëse mund të ketë pasur një grindje brenda familjes së 79-vjeçarit me nusen e shtëpisë.

Dyshohet se pas ankesës së mundshme të nuses për sherret e vijueshme me vjehrrin, ka shkuar daja i saj për t’u sqaruar dhe kërkuar llogari, por më pas situata ka dalë jashtë kontrollit duke precipituar në vrasje.

Një pistë tjetër në të cilën po heton policia, është ajo e konfliktit të pronësisë. Kjo pasi ngritja e një kasolle bagëtish nga ana e viktimës afër tokës së autorit ka sjellë grindje mes tyre. Sipas dëshmive të banorëve të tjerë, konflikti për këtë pronë ka ekzistuar edhe më parë, pavarësisht lidhjeve mes tyre dhe fqinjësisë, shkruan Panorama.

Nga hetimet e Policisë, Brahimaj kishte kërkuar disa herë ngritjen e një kasolle për të strehuar bagëtitë afër tokës së 57- vjeçarit, kërkesë e cila ishte kundërshtuar nga Xhuveli, duke i sugjeruar që të gjente një vend tjetër më të përshtatshëm.

Megjithatë, policia nuk përjashton pista të tjera të mundshme, përfshirë edhe të ndonjë grindjeje të momentit, e cila më pas ka përfunduar në vrasjen e njërit prej dy shtetasve të përfshirë në sherr. /albeu.com/

Shtuar më 02/06/2017, ora 08:33

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori