“Berati me infrastrukturë të rrënuar”, Balluku- Naços: Është krizë, do mbështesim paketat sociale

Deputeti socialist Nasip Naço gjatë seancës së sotme parlamentare kishte kërkuar interpelancë me ministren e Energjitikës dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku lidhur me investimet në bashkinë e Skraparit. Ministrja Balluku deklaroi se nisur nga kriza me të cilën po përballet bota, buxheti i qeverisë do të drejtohet më tepër drejt paketave sociale për mbështetjen e qytetarëve, por pa lënë pas investimet në infrastrukturë.

Pjesë nga Interpelanca 

Naço: Nuk mund të hedh baltë mbi punën që është bërë gjatë këtyre viteve në infrastrukturë. Por përsa i përket qarkut të Beratit, infrastruktura duhet rregulluar. Infrastruktura e rrënuar nuk i shërben turizmit. Beratit dhe Skraparit i drejtohen mijëra turistë gjatë vitit. A ka në buxhetin e vitit 2023 fond për restaurimin? Sa është vlera e parashikuar për rehabilitimin e aksit Skrapar-Përmet? Kur është planifikuar të nisen punimet në këto akse. Ky është qëllimi im i interpelancës.

Balluku: Interpelanca e kërkuar për investimin në infrastrukturë në Skrapar është një interpelancë e duhur. Ne jemi shumë të gatshëm që t’ju japim dokumentacionin e duhur për projektet që janë në vazhdim ose do të zhvillojmë në 2023. Viti 2023 do të jetë një vit që na vë para një sfide shumë të madhe. E para është siguria energjitike dhe e dyta është mbrojtja kibernetike. Duke pasur parasysh dhe gjithë krizën ekonomike që bota po kalon për sa i përket inflacionit duhet pasur parasysh që është një vit me një buxhet konservator që ka tendencën të mbështesë të gjitha paketat sociale. Jo se investimet do t’i lëmë pas dore, por peshën më të madhe do ta çojmë aty ku është nevoja, aty ku kjo krizë na detyro. Aksi rrugor Berat-Skrapar është përfshirë në një kontratë mirëmbajtjeje për një periudhë 2-vjeçare me një vlerë  91.9 milionë lekë.

Duhet pasur parasysh që jemi në sezonin e vjeshtës dhe sasi e reshjeve për energjinë fillon e shtohet. Nga ana e kompanisë kontraktore do fillojë t’i kushtohet kujdes mirëmbajtjes dhe rënies së rrugëve, fenomen që ka ndodhur gjithmonë në këtë aks. Deri në vitin 2022 ka planifikuar që në këtë aks të përfundojë punimet e ndërhyrjes me 5 mijë metër asfaltime, instalimin e mbrojtëseve anësore metalike.

Në fund të fjalës së tij, Naço u shpreh se nuk do të reshtë se mbrojtur interesat e qytetarëve që e sollën në pushtet.