Sulm në Norvergji, autori i armatosur rrëmben auto ambulancën dhe shtyp këmbësorët
Vrau gjyqtaren në mes të Tiranës, 53-vjeçari del sot në gjyq
Fadil Kasemi, ish-bashkëshorti i gjyqtares së ndierë Fildeze Hafizi, pritet të dalë paraditen e së dielës para togave të zeza të gjykatës së Krimeve të Rënda në Tiranë.

Prokuroria për Krime të Rënda kërkon arrest me burg pa afat ndaj Kasemit, i akuzuar për vrasjen e gjyqtares katër ditë më parë.

Burimet zyrtare thanë se organi i akuzës ka dërguar mesditën e djeshme në gjykatë kërkesën për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për shtetasin Fadil Kasemi, i cili akuzohet për kryerjen e veprave penale “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, “armëmbajtje pa leje” dhe “rrëmbim personi”.

Dy akuzat e para që janë ngritur ndaj të arrestuarit lidhen me vrasjen e gjyqtares, ndërsa akuza e “rrëmbimit të personit” ka të bëjë me tentativën e largimit të autorit nga vendi i krimit.

VRASJA

Bazuar në hetimet paraprake të deritanishme, grupi i hetimit theksoi se më datë 31.08.2017, rreth orës 13:50, në rrugën “Xhanfize Keko”, Tiranë, shtetasja Fildes Hafizi, banuese në Tiranë, njëkohë- sisht me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, ka dalë nga parukeria “S…” dhe është futur brenda në automjetin e saj të parkuar aty pranë.

Pasi ajo ka hipur në makinën ‘Benz’, me targa AA 880 OS, në këtë kohë është afruar ishbashkëshorti i saj, shtetasi Fadil Kasemi, me një pistoletë në dorë, dhe ka qëlluar me armë në drejtim të shtetases Fildese Hafizi, duke e lënë të vdekur në vend.

RRËMBIMI I PERSONIT

Prokuroria thekson se, më pas, shtetasi Fadil Kasemi me pistoletën në dorë i ka dalë përpara një automjeti të rastit që po udhëtonte në drejtim të rrugës “Bardhyl”, automjetit furgon Mercedes-Benz, me targa XXXX, që drejtohej nga shtetasi K.T., të cilit i ka thënë se kishte vrarë bashkëshorten e tij dhe nën kërcënimin e armës i ka kërkuar atij që ta largonte nga vendi i ngjarjes duke hipur brenda në automjet.

Gjatë udhëtimit, shtetasi K.T. ka përshkuar rrugën që të dërgonte pranë Komisariatit të Policisë nr.1 Tiranë. Në kohën që i është afruar Komisariatit, shtetasi K.T. e ka futur menjëherë automjetin e tij brenda në ambientet e Komisariatit të Policisë ku në këtë moment janë afruar menjëherë punonjësit e policisë, të cilët kanë ndërhyrë dhe kanë bërë kapjen në flagrancë të shtetasit Fadil Kasemi, duke i hequr armën pistoletë që mbante në duar.

DËSHMIA

Autori i vrasjes së gjyqtares mësohet se nuk ka folur para hetuesve në lidhje me krimin.

“I pyetur për faktin e ngjarjes, personi i arrestuar Fadil Kasemi, në praninë e një mbrojtësi kryesisht, pasi është njohur me letrën e të drejtave si person i arrestuar, ai nuk ka pranuar të flasë për faktin dhe rrethanat e ngjarjes”, kanë bërë me dije burimet nga hetimi i çështjes.

Sipas tyre, në këto kushte, Prokuroria për Krime të Rënda kërkon të caktohet ndaj shtetasit Fadil Kasemi masa e sigurimit “arrest në burg”, për kryerjen e veprave penale “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”; “prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “rrëmbim ose mbajtja peng e personit”. /panorama/

Shtuar më 03/09/2017, ora 09:50
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori