Scholz: Marrëveshja me Serbinë duhet të zgjidh edhe njohjen e Kosovës

Në një konferencë të përbashkët për media të kryeministrit Kurti dhe Kancelarit Scholz, ky i fundit u shpreh se marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë duhet ta zgjidhë edhe njohjen e Kosovës.

Scholz tha se është e paimagjinueshme që dy shtete që s’e njohin njëra-tjetrën të anëtarësohen në BE.

“Përfaqësuesi i BE-së Lajcak e ka mbështetjen tonë kurse dialogu është platforma që i hap rrugën evropiane Kosovës. Marrëveshja në fund duhet të zgjidhë edhe njohjen e Kosovës sepse është e paimagjuneshme që dy shtetet që nuk e njohin njëra-tjerën të anëtarësohen në BE”, tha Scholz.

Ai u shpreh se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Gjermanisë janë të ngushta.

“Gëzohem që po e vizitoj Kosovën si vendin e parë gjatë udhëtimit në Ballkanin Perëndimor. Fakti që po takohemi pas një muaji nga takimi në Berlin tregon se sa të ngushta janë marrëdhëniet tona biletarelale. Qeveria e Kosovës ka treguar se si partnere e besueshme qëndron me evropën perëndimore në sanksionet ndaj Rusisë”, tha ai.

Ai tha poashtu se po angazhohet që liberalizimi i vizave për Kosovën të ndodhë.

“Krahas marrëdhënieve tona bilaterale ne kemi biseduar edhe për liberalizimin e vizave që ende po mungon. Edhe liberalizimi i vizave duhet të ndodhë dhe unë personalisht po angazhohem te partnerët e BE-së”, u shpreh ai./GazetaExpress