Platforma e pajtimit që nxjerr “jashtë loje” Berishën dhe Bashën, dokumenti i plotë

Deputetët e PD-së kanë marrë ditët e fundit në dorë një dokument me gjashtë pika, zbatimi  i të cilave do të çojë në bashkimin e Partisë Demokratike.

Siç u publikua më herët në Albeu.com, pika e parë e këtij dokumenti lidhet me denoncimin e gjuhës së urrejtjes nga të gjitha palët ndaj çdokujt në parti, në mënyrë që më pas të shkohet drejt bashkimit.

Pikat e tjera duket se rikthejnë normalitetin ne PD, ku kërkohet rikthimi në Grupin Parlamentar të partisë të të gjithë deputetëve që mbështetën Berishën, ndërkohë që kërkohet gjithashtu edhe ndërprerja e çdo procesi të njëanshëm të riorganizimit të partisë, të cilën e ka nisur sëfundmi Komisioni i Rithemelimit.

Në dy pikat e tjera, ajo nr,4 dhe nr.5 kërkohet ngritja e një grupi të përbashkët pune që do të koordinoje këtë proces, ndërkohë që si pikë nr.6 është nisja e një procesi ndërgjegjësimi mes demokratëve, i cili do të shërbejë edhe si fushatë pajtimi.

Megjithatë, platforma është në formë drafti aktualisht dhe dhe pritet të finalizohet deri në orët e pasditës, por duket se ka deputetë që janë pro në parim të saj duke kushtëzuar mbështetjen e platformës me pengimin e rikandidimit për në krye të PD-së si të Berishës ashtu edhe të Bashës.

Burime bëjnë me dije se deputeti i Durrësit Ferdinand Xhaferaj ka kërkuar që në zgjedhjet për kreun e PD-së të përjashtohet kushdo që e ka drejtuar partinë për dy mandate me radhë.

Edhe pse nuk thuhet më emër, ky propozim, nëse do të merret parasysh nga Grupi Parlamentar, i ndërpret rrugën e rikandidimit Berishës dhe Bashës.

Nëse miratohet ky propozim, atëherë gjasat janë që ai të përcaktohet edhe në statutin e Partisë Demokratike duke bërë që askush që ka dy mandate të mos mundet të rikandidojë për kreun e partisë.

Propozimi i Alibeajt

Hapi 3: Më pas zhvillohet procesi i zgjedhjes së kryetarit të Partisë. Marrja e propozimeve për kryetar të PDSH, percaktimi i kritereve të kandidimit dhe filtrimi i kandidaturave të bëhet nga grupi  parlamentar me votë të fshehtë. Të drejtën për të kandiduar e ka cdo demokrat që plotëson kriteret e përcaktuara.

Ndryshimi i hapit nr.3, propozuar nga Xhaferaj

Hapi 3: Më pas zhvillohet procesi i zgjedhjes së kryetarit të Partisë. Marrja e propozimeve për kryetar të PDSH, percaktimi i kritereve të kandidimit dhe filtrimi i kandidaturave të bëhet nga grupi  parlamentar me votë të fshehtë. Të drejtën për të kandiduar e ka cdo demokrat [anëtar i PD-së]që plotëson kriteret e përcaktuara, përveç kandidatëve të mundshëm të cilët kanë mbajtur për dy mandate pozicionin e “Kryetarit të PDSH-së”, dhe/ose që nuk kanë fituar në dy Zgjedhje për Kuvend, gjatë kohës kur kanë mbajtur pozicionin e “Kryetari të PDSH-së”.

Platforma e plotë

PLATFROMË PARIMESH PËR BASHKIMIN E DEMOKRATËVE

Aplikimi i parimeve të mëposhtme në vlerësimin e ne deputetëve të Grupit Parlamentar të PD sjell ndërprerjen e menjëhershme të konfliktit të brendshëm dhe i hap rrugë bashkimit të demokratëve, që është interesi i vetëm politik dhe elektoral i Partisë Demokratike të Shqipërisë.

  1. Grupi Parlamentar i PD apelon me forcë për shmangien e gjuhës së urrejtjes, shantazhit, përçarjes, fyerjes dhe arrogancës mes demokratëve dhe i bën thirrje secilit anëtar të Partisë të reflektojë dhe të heq dorë nga cdo pozicionim i deritanishëm përçarës mes demokratëve.
  2. Anëtarët e Grupit Parlamentar të përjashtuar apo pezulluar nga grupi me vendim të Këshillit Kombëtar të datës 12 janar 2022, rikthehen në grup, si anëtar me të drejta të plota.
  3. Anullohet cdo proces i njënashëm riorganizimi apo ngritje të strukturave lokale të partisë, apo mbledhje të strukturave qendrore të partisë, duke e shtyrë në një kohë të përshtatshme që përcaktohet në përputhje me rregullat e caktuara në këtë dokument.
  4. Grupi Parlamentar ngre një grupi pune të përbashkët për hartimin dhe ndjekjen e zbatimit të planit të detajuar për realizimin e bashkimit të partisë (nga baza në qendër). Grupi i Punës propozon rregullat dhe kalendarin e procesit, si dhe planin e detajuar të riorganizimit të strukturave të partisë nga poshtë-lart, të cilat miratohen në një mbledhje të posacme të Grupit Parlamentar.
  5. Grupi i Punës i ngritur nga Grupi Parlamentar përcakton strukturat zbatuese të këtij plani ribashkimi. Zbatimi i këtij plani administrohet tërësisht në qendër nga GPPD, kurse në nivel dege dhe ne nivel grupseksioni, realizohet nga grupe pune të përbashkëta të monitoruara nga GPPD. Detyrat e secilit grup, në nivel dege apo grupseksioni, realizohen sipas këtyre hapave konsekutivë:

Hapi 1: Certifikimi i anëtarsisë aktuale, dhe paralelisht me këtë të realizohet hapja dhe pasurimi i anëtarësisë me përfaqësues nga cdo shtresë e shoqërisë që ideologjikisht janë afër vlerave dhe programit të PD. Të përcaktohen kritere dhe procedurë e qartë e identifikimit dhe anëtarësimit.

Hapi 2: Fillimi i procesit të zgjedhjeve në nivel seksioni, grupseksioni dhe dege. Grupi i punës të shërbejë si filtër i kandidaturave për secilin nivel. Në raste mosmarrëveshjesh, cështja zgjidhet nga GPPD.

Hapi 3: Më pas zhvillohet procesi i zgjedhjes së kryetarit të Partisë. Marrja e propozimeve për kryetar të PDSH, percaktimi i kritereve të kandidimit dhe filtrimi i kandidaturave të bëhet nga grupi  parlamentar me votë të fshehtë. Të drejtën për të kandiduar e ka cdo demokrat [anëtar i PD-së]që plotëson kriteret e përcaktuara, përveç kandidatëve të mundshëm të cilët kanë mbajtur për dy mandate pozicionin e “Kryetarit të PDSH-së”, dhe/ose që nuk kanë fituar në dy Zgjedhje për Kuvend, gjatë kohës kur kanë mbajtur pozicionin e “Kryetari të PDSH-së”.

6. Grupi Parlamentar ngre grupe pune për nisjen e një fushate ndërgjegjësuese në bazë me qëllim bashkimin mes demokratëve, si dhe përgatitjen e partisë për zgjedhjet e ardhshme lokale.