Vrasja që i vuri flakën Tropojës: Biseda me Fatmir Haklajn pasi pa vëllain e vdekur
(Rrëfimi i ish-të dënuarit me 20 vjet burg: Vrasja e 5 janarit 1998 e Shkëlqim Haklajt shënoi fatalitetin e krahinës. Dialogu në makinë, më kërkoi cigare e s’e kishte pirë kurrë. Më tha që nuk e kishte vrarë ai Bajram Hoxhën)

Ish-i dënuari me 20 vjet burg si bashkëpunëtor në vrasjen e Azem Hajdarit, Ismet Haxhia rrëfen në librin e tij “Kronika e Dhimbjes” të shtëpisë botuese “Helga’s Secrets”, situatën e vështirë në vitin 1998 në Tropojë. Haxhia tregon që fataliteti i asaj krahine nisi me vrasjen e Shkëlqim Haklajt më 5 janar 1998. Vetë Haxhia u lirua nga burgu në vitin 2016 dhe ju rikthye jetës normale. Pjesw nga ky libwr u botuan sot nw GSH.al..

VRASJA QE I VURI FLAKEN TROPOJES
Deri në fillimin e vitit 1998, pikërisht në ditët e para të janarit të këtij viti, megjithëse kishin kaluar disa muaj pas trazirave që tronditën vendin, Tropoja kishte përjetuar pak vrasje. Natyrisht, edhe një e tillë është shumë, por krahasuar me atë që kishte ndodhur dhe vazhdonte të ndodhte çdo ditë në rrethet e tjera të Shqipërisë, ishin pak.

Kjo, e krahasuar edhe me atë seri vrasjesh që do të ndodhnin në muajt që do pasonin edhe vetë në Tropojë. Kjo periudhë për Tropojën mund të cilësohet relativisht e qetë.

Më datë 3 janar të vitit 1998, rreth orës 16:30 minuta në radiot e policisë u dëgjua një zë që shprehte tronditje e shqetësim të madh.

Ishte zëri i një polici të komisariatit të policisë, i cili së bashku me Shkëlqim Haklajn e dy persona të tjerë po ktheheshin nga qyteti i Krumës për në B. Curri.

PRITA NE QAFE TE LUZHES
Në Qafën e Luzhës ndalojnë, pasi makina ndesh në një pritë gurësh, ndërtuar nga dora e njeriut.

Atë ditë për fat, vrasësit që kishin zënë pritë pak metra sipër rrugës, nuk do të mund të vepronin, pasi ngjitur me makinën që udhëtonte “gjahu” i vrasësve, ishte i pozicionuar edhe autobusi i linjës Kukës – Bajram Curri, që po udhëtonte në të njëjtin drejtim nga qyteti. Në ketë moment policinë e përfshin një alarm i vërtetë.

Menjëherë drejt vendit të ngjarjes nisen shumë policë dhe mjete që mbartnin mjaft nga shokët e shefit të komisariatit, nën drejtimin e këtij të fundit. Fatmiri gjatë gjithë kohës udhëzonte nëpërmjet radios se si duhej të vepronin. Ai porosiste të dilnin me kujdes nga makinat dhe të kapnin pjesën e sipërme të rrugës dhe në rast nevoje t’i mbanin me zjarr derisa të vinte ai atje.

Vrasësit, me siguri, duke qenë të pajisur edhe ata me radio policie, e marrin vesh me çfarë do të përballeshin dhe largohen pa bërë asnjë veprim atë ditë.

Disa oficerë të policisë po qëndronim në oborrin e komisariatit, duke pritur me ankth për atë që mund të ndodhte.

Për këtë rast pati shumë vlerësime, por ai për të cilin do të konkludohej si më i mundshmi ishte ndonjë mundësi për të grabitur autobusin e linjës, pasi pikërisht në këtë linjë, pak ditë më parë ishte grabitur autobusi i linjës si dhe një furgon pasagjerësh.

PAS PRITES
Autobusi i linjës së udhëtarëve, i cili do të kalonte disa minuta më vonë, i gjen dy kufomat e viktimave dhe i transporton për në morgun e spitalit të qytetit.

Polici, njëri nga personat që udhëtonte me të vrarët, kishte shpëtuar për mrekulli nga i gjithë ai lumë plumbash që kishin goditur makinën. Ai, në momentin e vrasjes del nga makina, duke shfrytëzuar xhamin e pasmë të saj, i cili ishte bërë shoshë nga plumbat.

Duke shfrytëzuar terrenin e thyer në krahun e kundërt të pritës, rrokulliset me shpejtësi poshtë, drejt rezervuarit të Vladit, me pak plagë të lehta nga gërvishtjet e pësuara gjatë rrokullisjes tatëpjetë shpatit të malit.

Vrasësit e ndjekin nga pas duke derdhur drejt tij dhjetëra breshëri plumbash. Fatmir Haklaj dhe familja e tij ishin goditur rëndë.

Ai në kohën e ardhjes së kufomave ishte në spital, pasi kishte gruan e tij të sëmurë. Sapo lajmi merret vesh, qindra qytetarë mblidhen me shpejtësi në oborrin e spitalit. Fatmirin askush nuk mund ta njoftonte.

I nxitur nga grumbullimi i njerëzve, ai del nga brendësia e spitalit dhe duke iu afruar vendit ku ndodheshin kufomat, i zbulon ato dhe në atë moment mëson se i ishin vrarë vëllai dhe kunati i tij.

Ai mbahet i fortë në atë moment dhe duke u përkëdhelur kokat e bëra shosh nga plumbat, ai i drejtohet vëllait të vrarë: “Si të paskan bërë kështu bre vëlla!” Fatmiri drejton trupin dhe me fytyrën e zbardhur nga dhimbja për fatkeqësinë që i kishte ndodhur, pasi shikon përreth, drejtohet dhe më pyet nëse makinën e kisha në gjendje pune.

“Po”, i them unë duke u afruar drejt tij. Gruan e kishte shtruar në spital dhe “ajo nuk e dinte që i kanë vrarë vëllain”, më thotë ai. “E kam shumë të rëndë t’ia them, por më ndihmo ta çoj në shtëpinë e prindërve të saj dhe aty le ta mësojë për fatkeqësinë që i ka ndodhur”.

E dërguam nusen e Fatmirit në shtëpinë e vjehrrit të tij. Gjatë rrugës së shkurtër nuk u fol asnjë fjalë. Sapo hipëm në makinë për t’u kthyer nga kishim ardhur, Fatmiri më kërkon cigare.

NE SPITAL
Unë nuk e përdorja duhanin, por zbrita nga makina dhe i mora pesë paketa cigare. Ai filloi t’i ndizte njërën pas tjetrës, duke i thithur me gulçim, edhe pse nuk e pinte duhanin.

Pasi mbërritëm te spitali, takuam dhe familjarët e tjerë që sapo kishin ardhur aty. Pas pak Fatmiri u takua me një person veçmas, me të cilin ka biseduar për rreth 30 minuta.

Nuk mësova kurrë se çfarë u bisedua, por duke u nisur nga vetitë negative të atij me të cilin bisedoi, jam i sigurt se Fatmirit në atë moment të vështirë për të, iu injektua doza e parë e intrigave që do e shoqëronin deri në fundin e jetës së tij për këtë vrasje.

Rreth mesit të natës po udhëtonim në autokolonë të gjatë drejt shtëpisë së Fatmirit në Kërrnajë.

Po udhëtonim të vetëm në makinën time. Kishte filluar përsëri të ndizte e pastaj të fikte pa i mbaruar cigaret, njëra pas tjetrës, pa ndërprerë, duke i shkelur ato me këmbë në dyshemenë e makinës.

DIALOGU NE MAKINE
Ai nuk po fliste asnjë fjalë, por vazhdonte të gulçonte, duke të krijuar bindjen se tek ai ishin zgjuar rrëmbyeshëm instinktet e tij të egërsisë. Vjen momenti që duke m’u drejtuar mua, më pyet: “A e din se kush mund ta ketë vrarë?”.

Kjo pyetje ishte jashtëzakonisht e vështirë për mua dhe po kaq e vështirë ishte dhe mundësia për të dhënë një përgjigje të saktë, pasi ata kishin shumë probleme të mëparshme. “Më ke vënë në një pozitë të vështirë, – i thashë, dhe pa pritur ndërhyrjen e tij vazhdova

– Nuk mundem të të jap një version të saktë, – i them – pasi çdo vrasje që ka ndodhur në Tropojë, thuhet se e keni bërë ju Haklajt”.

Në vazhdim fillova të përmend një e nga një çfarë dija e çfarë kisha dëgjuar të flitej në këtë drejtim. Ai po më ndiqte në heshtje, pa më kundërshtuar për ato që kisha përmendur deri në atë moment.

Vjen momenti për t’i përmendur një vrasje të shëmtuar që kishte ndodhur në qershorin e vitit 1997. Është fjala për vrasjen e Bajram Hoxhës, në atë kohë polic në Komisariatin e Policisë Tropojë.

Ishte kundërshtimi i vetëm që më bëri duke më shpjeguar se ata nuk kishin dorë dhe as dijeni për atë vrasje.

Kjo vrasje kishte goditur mbarë opinionin e asaj zone, sepse jo vetëm që ishte vrarë një djalë me cilësi mjaft të mira, por vrasja ishte kryer në ditën e një dhimbjeje mjaft të madhe për atë familje të ndershme e të fortë.


SJELLJA E POLICISE
Për këtë arsye u vendos që autobusi i linjës të shoqërohej me policë të armatosur. Por qëllimi i pritës nuk na paska qenë për të grabitur, duke e nxjerrë të gabuar konkluzionin tonë.

Ata kishin synuar vrasjen e vëllait të Fatmir Haklajt, Shkëlqimit, i cili atë ditë kishte filluar punë në Komisariatin e policisë së Krumës dhe lëvizjet e tij ishin pikasur tashmë. Ato ditë një dorë e fshehtë kishte përgatitur goditjen fatale për Haklajt, por që do të shënonte një fatalitet të vërtetë për të gjithë atë krahinë të stërmunduar tej mase nga përpjekjet për të mbijetuar.

Shkëlqim Haklaj të nesërmen e kësaj ngjarjeje nuk do të udhëtonte drejt Krumës për të shkuar në punë. Dy ditë më vonë, ai së bashku me një polic, baxhanakun e Fatmir Haklajt, si dhe kunatin e këtij të fundit, do të udhëtonin përsëri drejt qytetit të Krumës.

Gjatë kthimit, dy prej tyre do të gjenin vdekjen. Ishte 5 janari i 1998-ës, vrasësit pasi kishin mësuar saktësisht për lëvizjet e tyre, do të zinin pritë në të njëjtin vend që kishin zënë dy ditë më parë.

Sapo makina afrohet në pritë, zbrazen mbi ta qindra plumba mitralozi të lehtë e kallashnikovi.

DHIMBJA NE TROPOJE
Atë ditë familja po varroste një djalë në moshën 15-vjeçare, i vrarë aksidentalisht nga shpërthimi i një granate me të cilën ai po luante.

Bajramit, të shoqëruar edhe me një pjesëtar tjetër të familjes, duke shkuar për në qendrën e Komunës Tropojë, në përmbushje të nevojave të familjes për fatkeqësinë që u kishte ndodhur, i zënë pritë duke e goditur për vdekje atë, dhe plagosin rëndë kushëririn që e shoqëronte.

Kjo vrasje ishte ndër vrasjet më të shëmtuara që kishin ndodhur ndonjëherë atje, pasi në ditë të tilla edhe hasmi më i keq nuk të godiste në atë mënyrë. Dhimbjen me këtë familje do e ndanin qindra familje tropojane, nga të katër anët e rrethit.

Gjatë ceremonisë për t’i dhënë lamtumirën e fundit atij djali të nderuar nga të gjithë, ndodhi diçka. Në momentin që arkivoli i të ndjerit vihet në oborrin e shtëpisë për t’i bërë homazhet e fundit, dëgjohet një breshëri e gjatë mitralozi të rëndë, që vinte nga drejtimi i fshatit Kërrnajë.

Të pranishmit i përfshiu një ilaritet duke lënë te të gjithë një përshtypje të keqe.

Nisur nga ky fakt, njerëzit kanë hamendësuar shumë lidhur me autorët e mundshëm të kësaj vrasjeje të shëmtuar, ku shumica mendonin se e kishin bërë Haklajt. Unë, i mbështetur në këtë thashethemnajë, mora iniciativën për ta përmendur në atë moment. Pasi heshtëm për pak çaste, Fatmiri duke m’u drejtuar, më thotë: “Mua nuk më ka vrarë hasmi.

Mua më ka vrarë Haki Hoxha me njerëzit e tij”. Për momentin u pushtova nga një mosbesim, pasi për asnjë rast nuk më kishte ndodhur të dëgjoja për ndonjë shkak aq serioz sa të mund të përfundonte në një mënyrë kaq tragjike. Duke vazhduar atë bisedë të vështirë për mua, i mora leje për të më lejuar ta këshilloja për diçka.

Pas disa sekonda pritjeje, të cilat m’u dukën shumë të gjata, ai më përgjigjet: “Urdhëro!”. Unë i formulova një këshillë shumë të sinqertë, të cilën ai kurrë nuk e zbatoi. E këshillova të bënte shumë kujdes në informacionet që do i ofronin, pasi mund të ndodhë që njerëzit e ligj, apo ndonjë dashakeq, mund të shfrytëzojë gjendjen tënde të rëndë, për të intriguar, e kështu mund të merren në qafë njerëz të pafajshëm.

Ai po më ndiqte në heshtje, pa folur asnjë fjalë të vetme. Duke vazhduar i them: – Ka plot njerëz që mund të përfitojnë nga tronditja juaj, për të përmbushur ndonjë qëllim të keq, apo për të shfryrë ndonjë mllef të tijin personel, që e ka mbajtur të ndrydhur thellë në ndërgjegjen e tij për shumë vite, duke mos kuptuar lehtë qëllimin e tyre.

NE SHTEPI
“Unë – më thotë ai – mund t’ua kisha falur vëllanë, por kurrë nuk kam për t’ua falur Arturin, pasi ai nuk i kishte ndonjërit ndonjë borxh”. Ndërkaq, kishim mbërritur në oborrin e shtëpisë së Fatmirit.

Qindra njerëz ishin mbledhur aty për të pritur njeriun e tyre të vrarë. Nuk dëgjohej zë njeriu. Plaku i Haklajve e një tjetër filluan të shpërndanin për njerëzit që shoqëronin kufomën duhan, sipas zakonit.

Varrimi u caktua të bëhej të pasnesërmen, më datë 7 janar 1998. Kjo nuk ishte normale, pasi mendova se Haklajt, me shtyrjen e varrimit deri në atë kohë, do të mund të nxitonin për t’u hakmarrë.

Pas ndonjë ore ne filluam të largoheshim prej aty duke i lënë në mërzinë e tyre të madhe. Të nesërmen do të jepej sinjali i qartë për atë çfarë do të ndodhte në ditët që do pasonin.

Më datë 6 janar 1998, një ditë pas vrasjes, ndodh një krim i paprecedent, viktima të të cilit do të mbeteshin tre persona të pafajshëm.

Rreth orës 10 të pasdites së asaj dite, katër persona të hipur mbi një mjet tip “Fuoristradë”, pasi i kishin ndjekur për rreth dy orë, arrijnë t’i bllokojnë te stallat e ish-fermës së fshatit Cërrnicë të Tropojës dhe pasi derdhin mbi ta qindra plumba, largohen me shpejtësi, duke i lënë të vdekur në vend.

Sapo morëm njoftimin, shkuam në vendngjarje me shumë forca policie. Gjetëm kufomat e mbuluara me nga një batanije nga fshatarët, të cilët, pasi i zbuluam, pamë se ishin vrarë Gjin Kolbuçaj, Avdyl Matoshi dhe Naim Dizdari.

Ky krim i shëmtuar, më shumë se për asgjë tjetër, do të shërbente për demonstrim force dhe vetëm kaq. Pak ditë më vonë vritet edhe vëllai i Naimit, Qazim Dizdari në qendrën e qytetit.

Viktimat e kishin kuptuar për rrezikun që po u kanosej dhe në atë rrugicë ishin futur për të kërkuar armë që të mbroheshin. Ata kishin trokitur në disa dyer, por ishin kthyer mbrapsht të paarmatosur.

TOYOTA E ZEZE

Avdyl Matoshi ishte gjetur me një pistoletë tip “Makarov” në dorë me të gjithë plumbat e zbrazur, të vetmen armë që kishin pasur me vete. Një shofer vendali, e pyeta se kush mund ta kishte bërë këtë vrasje. Ai m’u përgjigj: “‘Toyota’ e zezë shef, ajo i vrau këta fatkeqë”.

E kuptova menjëherë se për kë po më fliste. Isha plotësisht i bindur se këta persona ishin viktimizuar pa pasur asnjë faj. Askush nuk bëri ndonjë hetim, duke vazhduar t’i krijohet hapësirë krimit, që dalëngadalë po kthehej në një gangrenë për Tropojën. Shumë kohë më vonë, pasi Fatmir Haklaj do të kthehej edhe një herë si efektiv i policisë në Komisariatin e policisë në B. Curri, më pyet nëse e njihja Avdyl Matoshin.

I shpjegova se e njihja dhe se kisha lidhje gjaku me të. U ndie keq për këtë dhe nga qëndrimi që mbajti në vazhdim të bisedës la të kuptohej se ai ishte vrarë jashtë dëshirës së tij.

“Edhe të tjerët, të pafajshëm kanë qenë”, – i them unë dhe u përpoqa të argumentoja. Në ditën e vrasjes në Qafën e Luzhës, rreth orës 14:00, më vjen për të më takuar në rrugë ku po punoja me patrullën e policisë rrugore Gjin Kolbucaj së bashku me vëllain e tij emigrant në Itali, i cili kishte ardhur për fundvit në familjen e tij.

Ai kishte larë së bashku me rrobat të dyja patentat, duke i bërë ato të papërdorshme. Në kohën e trazirave 1997, ishte djegur plotësisht kartoteka e qarkullimit rrugor, e ne sapo kishim filluar punën për ta plotësuar me dokumentacionin e nevojshëm. Më kërkuan që t’u bëja patentën e vendit si dhe atë ndërkombëtare, pasi do të udhëtonte shpejt për në Itali dhe pa patentën ndërkombëtare nuk mund të largohej prej këtej.

Ua kërkova patentat e dëmtuara. Patentës së vendit mezi i dallohej numri i protokollit dhe data e marrjes së patentës. E mora përsipër t’ua zgjidhja hallin që kishin. Me këmbënguljen e tyre shkuam në ish-Turizmin e qytetit për kafe, ku kemi ndenjur aty deri rreth orës 16:00 të asaj dite. Më pas jemi larguar prej aty së bashku, për t’u ndarë me ta pas një këmbënguljeje të madhe që unë t’i shoqëroja në shtëpinë e tyre atë natë.

Ora e ndarjes ishte pikërisht koha kur në Qafën e Luzhës kishte ndodhur krimi i asaj dite kundër Haklajve. Në këto kushte ishte absolutisht e pamundur që Gjin Kolbuçaj të kishte marrë pjesë në atë vrasje, edhe sikur në shërbim të tij të kishte qenë ndonjë helikopter. Ia shpjegova këtë fakt Fatmirit, por me sa munda të kuptoj, nuk ishte bindur për këtë.

A U KOMPROMENTUA SHTETI?
Po kaq i pafajshëm ka qenë edhe Avdyl Matoshi, i cili ato ditë kishte ardhur në Tropojë për të bërë disa ngushëllime te disa të afërm të tij për raste fatkeqësish. Edhe Naim Dizdari, kunat me Avdylin, i cili kurrë ndonjëherë nuk kishte prishur qejf me njeri, ishte krejtësisht i pafajshëm për atë që u kishte ndodhur Haklajve.

Më datë 9 janar 1998, katër ditë mbas vrasjes në Qafë të Luzhës, vritet në komisariatin e policisë Tropojë i vëllai i Haki Hoxhës, Shaqir Hoxha – oficer në sektorin e policisë kufitare. Kjo vrasje do të komprometonte rëndë shtetin. Të gjithë flisnin nën zë për vrasësin, por askush nuk guxonte të hapte një proces penal për ketë akt të rëndë.

Sa herë do të ndodhnin ngjarje të rënda në Tropojë vërshonin të vinin nga Tirana shumë specialistë nga Ministria e Rendit Publik si dhe nga Prokuroria e Përgjithshme, por pasi “vajtonin” ca ditë së bashku me ne për gjendjen në Tropojë, largoheshin pa mbushur asnjë akt ligjor që të mund të shërbente në të ardhmen për përmirësimin e situatës tejet të rënduar nga kriminaliteti.

Kohë më vonë, duke folur për këtë akt me Fatmir Haklajn, si një akt i rëndë që kishte dëmtuar imazhin e policisë, ai më shpjegon: “Nuk e kam pasur në plan për ta vrarë, por kur unë po ngjitja shkallët e komisariatit për të marrë karikuesin e radios së policisë, u ndesha përballë me të, në momentin që ai po i zbriste ato. Në këtë kohë ai fut dorën në xhepin e djathtë të xhupit dhe unë, duke menduar, se ai do më sulmonte me ndonjë granatë, menjëherë reagova me armë ndaj tij”.

Në fakt, inspektorët e krimeve që bënë këqyrjen e vendngjarjes, kishin gjetur në xhepin e tij një pistoletë të mbushur. Nga koha e kryerjes së kësaj vrasjeje e deri në mesin e nëntorit 1998, kur ai do të rikthehej përsëri në polici, në detyrën e komandantit të policisë së qytetit, nuk pata rastin të takohem me të, veç një rasti kur unë, së bashku me rreth 10 persona të tjerë, do e shoqëronim për një ngushëllim në një fshat të Rrethit të Krujës.
Shtuar më 21/03/2017, ora 15:43

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori