Afati për kandidimin për kryetar i PD-së, Berisha: Nuk kam depozituar ende dokumentet

Ish-kryeministri Sali Berisha gjatë konferencës për shtyp u pyet në lidhje me garën për kreun e PD dhe për afatet për dorëzimin e kandidaturës deri më 7 maj.

Berisha tha se nuk ka depozituar ende dokumentet ndërsa shtoi se do të respektojë afatet e përcaktuara nga Komisioni Zgjedhor në Partinë Demokratike.

“Nuk kam depozituar dokumentet. Sot u informova për njoftimin e Komisionit. Do respektoj afatet e caktuara. Asgjë e re s’ka në këtë, e kam thënë me kohë.

Deputetet pa përjashtim janë anëtarë të Këshillit Kombëtar. Do të tregohet para kamerave. Transparenca është absolute këshu që unë mendoj se ka shumë arsye për të kandiduar nëse dëshirojnë. Do jetë procesi më transparent  që ka pasur Partia Demokratike.

Komisioni Zgjedhor në Partinë Demokratike ka vendosur afatet për kandidatët që do të marrin pjesë në zgjedhjet për kreun e ri të kësaj partie. Kandidaturat për kreun e ri të PD do të nisin të pranohen nga dita e sotme dhe afati përfundimtar për kandidatët do të jetë data 7 maj, ora 00:00.

Kujtojmë se zgjedhjet për kreun e PD, me vendim të Kuvendit Kombëtar të 30 prillit do të mbahen në 22 maj.