Vrasja në Dajt/ Gaxheri: S'kam borxh tek autorët e vrasjes
Gjatë dëshmisë së tij, i plagosuri në ngjarjen e ndodhur më 13 nëntor në parkingun e një lokali në Linzë, Ismet Gaxherri, mohon të ketë qenë ai shkaku i ngjarjes ku u vra 30¬vjeçari, Enton Nikaj.

Grupi i hetimit i policisë dhe prokurorisë ka marrë në pyetje dje të riun e plagosur në këtë ngjarje, i cili ndryshe nga çfarë ishte pretenduar se shkak për ngjarjen ka qenë një borxh 200 mijë euro, që Gaxheri ia kishte Ervis Martinajt, i plagosuri e ka mohuar këtë fakt. Ai ka thënë se nuk ka asnjë çështje borxhi mes tij dhe personit tashmë të shpallur në kërkim në lidhje me ngjarjen e ndodhur në parkingun e lokalit që ndodhet në Linzë, rrugës për në Dajt.

"Nuk kam asnjë detyrim ndaj asnjërit prej personave që kanë qenë aty atë ditë”, mësohet të ketë dëshmuar i plagosuri Ismet Gaxherri. Ai ka thënë se kur mbërriti në lokal, ka parë grupin prej pesë personash që u afrua te parkingu dhe filloi konfliktin me Enton Nikajn. Gaxherri ka pretenduar se e vetmja lidhje e tij me ngjarjen, është se hyri të ndante konfliktin që Ervis Martinaj dhe katër personat që e shoqëronin filluan me 30¬vjeçarin, Enton Nikaj, i cili mbeti i vrarë më pas me një plumb në qafë. “Isha në Tiranë dhe pak pas drekës kam shkuar me makinë te lokali. Sapo kam parkuar, erdhën ata djemtë, 4¬5 veta sa ishin, dhe filluan të debatonin me Enton Nikajn. Pasi kam parkuar makinën, u afrova të interesohesha çfarë kishin", mësohet të ketë thënë i plagosuri.

Gaxherri pretendon se njëri nga djemtë i ka vendosur armën në kokë (pasi ka parë fotot, Gaxherri identifikoi Emiljano Tashon si autor i këtij veprimi). Pas arrestimit tri ditë më parë në Tiranë, mësohet se Emiljano Tasho ka pranuar se ka plagosur me tytën e pistoletës Ismet Gaxherrin.

Sipas Prokurorisë, Ismet Gaxherri, i cili shoqëronte viktimën Enton Nikaj, ka ndërhyrë. Menjëherë personat agresorë kanë goditur me pjesën fundore të pistoletës shtetasin Gaxherri, i cili është rrëzuar në tokë, i gjakosur. Më pas, veprimet e dhunshme kanë vijuar mbi shtetasin Enton Nikaj, që është qëlluar me armë në qafë. Brenda pak çasteve, agresorët kanë hipur në mjet, ndërkohë që shtetasi Nikaj ka qenë i shtrirë në tokë, i qëlluar me armë zjarri në pjesën e qafës, i cili kishte pësuar vdekje të menjëhershme. /albeu.com/



Shtuar më 17/11/2015, ora 08:53
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori